Një organizatë shqiptare për të drejtat e fëmijëve i ka kërkuar parlamentit të rrisë moshën për hyrjen në marrëdhenieve seksuale, që aktualisht është 14 vjeç, dhe të përmirësojë ligjet për të mbrojtur të rinjtë nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual.
CRCA/ECPAT Albania, një OJQ që punon për të drejtat e të rinjve, i kërkoi Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvend të përmirësojë menjëherë kodin penal dhe legjislacionin për të drejtat e fëmijës.
Propozimi i organizatës në këtë kërkesë ka dy pika kryesore: rritjen e moshës minimale për dhënien e pëlqimit për kontakt dhe marrëdhënie seksuale, si dhe ndryshimin e përkufizimit të dhunës seksuale në kodin penal, ku aktualisht dhunë seksuale konsiderohet vetëm përdhunimi.
“Fëmijët kanë nevojë për më shumë mbrojtje, siguri dhe kujdes në jetën e tyre, përfshi këtu një mbrojtje më të mirë nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual i të rriturve. Legjislacioni shqiptar duhet të jetë në përputhje me Konventën e Lanzarotes të Këshillit të Evropës dhe me direktivat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formaë e dhunës seksuale”, tha drejtori i organizatës Altin Hazizaj.
Të dhënat nga CRCA/ECPAT të mbledhura gjatë 12 viteve të fundit tregojnë se 80 përqind e krimeve seksuale të raportuara në Shqipëri janë kryer ndaj personave nën 18 vjeç, ndërsa pjesa më e madhe ndaj një fëmije nën 14 vjeç.
Organizatat thonë se kjo tregon se grabitqarët seksualë kanë vendosur prej kohësh fëmijët dhe adoleshentët si objektiva, pasi ligji nuk i mbron ata siç duhet.
Ligji shqiptar në gjendjen e tanishme thotë se mosha për dhënien e pëlqimit për marrëdhënie seksuale është 14 vjeç, ndër më të ultat në Evropë. Në shumicën e vendeve të BE-së dhe ato evropiane ajo është mes moshës 16-18 vjeç.
Një studim i vitit 2021 i kryer nga Zyra e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Shqipëri (UNFPA) tregoi se 8 përqind e fëmijëve të anketuar thanë se ishin abuzuar seksualisht, ndërsa 3 përqind thanë se kishin qenë viktima të përdhunimit ose të tentativës për përdhunim. Prej tyre, djemtë kishin më shumë gjasa sesa vajzat për t’u abuzuar seksualisht, ndërsa vajzat kishin më shumë gjasa të abuzoheshin emocionalisht.
Një raport tjetër nga Barnahus Albania zbuloi se fëmijët e moshës 10-14 vjeç kishin më shumë gjasa për t’u abuzuar seksualisht. Shumica e rasteve ndodhin në jug të vendit, pasuar nga qendra e Shqipërisë, ku gjendet edhe kryeqyteti.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.
Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.