Në Shqipëri, rrëqebujt e fundit të Ballkanit në mëshirë të gjuetisë së jashtëligjshme

Nga Louis Seiller
Në Shqipëri, rrëqebujt e fundit të Ballkanit në mëshirë të gjuetisë së jashtëligjshme

Rrëqebulli ballkanik, nënspecie e rrëqebullit boreal, është një nga më të kërcënuarit në botë. Pas vrasjes së një rrëqebulli nga gjahtarët shqiptarë, organizatat për mbrojtjen e tyre duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

Ata qëndrojnë të ngrirë sipër barit, reduktuar në një gjendje absurde prej pellushi. Këta dy rrëqebuj ballkanikë, pasi u masakruan në pyjet fqinje, janë krenaria e vendit.

Në murin ngjitur, anash një fajkoi me sytë gjysëm të mbyllur, nuk ka piktura apo postera, por dy arinj të murrmë, të shtrirë si sixhade, me gojën e hapur.

Në këtë restorant, në një qytet të madh në qendër të Shqipërisë, i çmuar nga dashamirësit e mishit të egër, shpresohet për një trofe të ri të zgjedhur, një “tigër ballkanik” të tretë, të sapo-balsamosur. 

Një porosi disi e rrezikshme pas korrikut 2019 me ndryshimin e Kodit Penal shqiptar, i cili tani parashikon deri në shtatë vjet burg për këtë lloj blerjeje.

Një praktikë e pakontrollueshme

Kjo mace e madhe me gëzof me pika dhe sy në formë bajame është një specie e mbrojtur rreptësisht. Një mbrojtje që njerëzit po përpiqen me mund t’ia sigurojnë. Që nga fundi i vitit 2015, kjo nënspecie e rrëqebullit boreal është klasifikuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) si e rrezikuar në mënyrë kritike në natyrë, “kategoria e parafundit para zhdukjes”, shprehet i mërzitur Urs Breitenmoser, specialist për felinët në IUCN. 

“Kjo do të thotë se, në gjithë globin, ka më pak se 50 rrëqebuj të rritur në natyrë. Meqenëse nuk ka mbarështim të rrëqebullit ballkanik në kopshte zoologjike (dhe nuk do të ketë më kurrë), situata është me të vërtetë shumë kritike.” 

Në dallim nga fqinji i tij në Karpate, rrëqebulli i Ballkanit është gjenetikisht i lidhur me popullsitë lindore të Kaukazit dhe Anadollit. 

Shumë diskret, mendohej se ai ishte zhdukur përfundimisht, derisa u rizbulua në fillim të viteve 2000. Sot, ai riprodhohet vetëm në malet e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.

Me shkatërrimin e habitatit të tij dhe zhdukjen e presë, gjuetia e paligjshme është një nga kërcënimet kryesore që i kanoset mbijetesës së rrëqebullit. Ky felin me sjellje nokturne paguan çmimin e mungesës së një strategjie të përshtatshme për ruajtjen e florës dhe faunës shqiptare.

E kontrolluar rreptësisht dhe e rezervuar vetëm për aparatçikët e regjimit në kohën e diktaturës komuniste (1944-1991), gjuetia u bë e pakontrollueshme në kaosin politik të viteve ’90-të, e favorizuar edhe nga qarkullimi masiv i armëve në shtëpitë shqiptare pas trazirave të vitit 1997.

Një raport i National Geographic më 2013 i përshkruante kënetat shqiptare si zona lufte për zogjtë shtegtarë nga Evropa. Gjuetia e rosave dhe harabelëve në lagunat e Adriatikut ose e arinjve në malet në lindje të vendit mbetet një mënyrë për të përmirësuar një jetë të përditshme shpesh të vështirë, por edhe për të kënaqur egon e disa burrave të etur për trofe për të ekspozuar. 

Pyjet, vetë viktima të shpyllëzimit masiv dhe të vazhdueshëm, paçka se ka një moratorium dhjetëvjeçar që ndalon prerjen e pemëve, dëshmojnë masakrën. Shumë pak lepuj ose derra të egër shfaqen në kamera-kurthet e vendosura nga biologët. Kafshët e drizave kanë pësuar humbje dramatike.

Një ndjenjë mosndëshkimi

Përballë një tragjedie të vazhdueshme, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë masa të pashembullta dhe drakoniane: në vitin 2014, një moratorium i plotë i gjuetisë u kalua për dy vjet, dhe më pas u zgjat edhe për pesë vjet të tjera. 

Gjashtë vjet më vonë, cilat janë rezultatet?

“Ndikimi pozitiv i moratoriumit mbi faunën është i dukshëm dhe domethënës,” siguron Klodiana Marika nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. 

“Të dhënat tregojnë se në vitet 2017, 2018 dhe 2019, numri i përgjithshëm i zogjve ujorë të numëruar ishte rreth 50 për qind më i lartë se në vitin 2016: 98 564 në 2016 dhe 146 395 në 2019.”

Por nëse zonat e mbrojtura bregdetare janë bërë më mikpritëse për zogjtë shtegtarë, pyjet malore mbeten shpesh vende të paligjshmërisë, ku disa nuk ngurrojnë të “qëllojnë gjithçka që lëviz”.

Megjithë numrin e gjobave të vëna nga ministria, OJQ-të dalin në një përfundim krejt tjetër në lidhje me moratoriumin. “Fatkeqësisht, vetëm viti i parë i moratoriumit mund të konsiderohet një sukses”, shprehet i mërzitur Aleksandër Trajçe, drejtor i OJQ-së Mbrojtja dhe ruajtja e mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA): 

“Vitet në vijim u shënuan nga mangësi të mëdha në zbatimin e tij, duke ngjallur shumë konflikte dhe pakënaqësi midis gjahtarëve. Në realitet, gjahtarët e paligjshëm (brakonierët) – të cilët shpesh janë njerëz me lidhje të ngushta me autoritetet – kanë rifilluar të vrasin pa mëshirë dhe pa asnjë kontroll fauneën e egër.

Të vetmit që i përmbahen ndalimit janë gjuetarët e ligjshëm dhe të ndershëm, të cilët janë vëzhguesit e pafuqishëm të kësaj situate të padrejtë.”

Të pajisur mirë dhe nëpër automjete 4×4, gjahtarët e paligjshëm pushtojnë pyje si ai i Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë gjatë natës për të zhvilluar një betejë që e kanë fituar paraprakisht. Dhe nuk ka rëndësi nëse, në shënjestër shfaqen sytë e verdhë të njërit prej dhjetë rrëqebujve në vend…

Duhet thënë se njëfarë ndjenje mosndëshkueshmërie pluskon në këtë vend, kandidat për Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Sundimi i ligjit është shumë i vështirë të vendoset, dhe bakshishet e korrupsionit kalbin jetën e përditshme të qytetarëve. 

Restorantet “tek gjahtari” nuk i janë larguar emrit të tyre si pasojë e këtij moratoriumi të zgjatur, por shpesh thjesht kanë fshehur trofetë e tyre, si rrëqebujt e balsamosur. 

Por, nuk bëhet fjalë të ndryshohen pjatat apo të shqetësohen për ligjet në fuqi. është mbi të gjitha e domosdoshme të kënaqin klientelën e pasur që do mishin e egër. Në qendër të Tiranës apo tjetërkund në vend, restorantet promovojnë recetat e kuzhinierëve në Facebook.

“Riorganizimi i Inspektoratit të Mjedisit ka krijuar një vakum dhe ka dobësuar kontrollin e përkohshëm,” pranon Klodiana Marika e Ministrisë. “Kjo ka çuar në një rritje të dukurive negative, siç është shërbimi i zogjve të egër në restorante.”

 Në menu: dre, derr i egër, pëllumb, fazan, por edhe, për shijet më aventureske, iriq, breshkë, apo edhe ari, “në varësi të stinës”.

“Kopsht zoologjik nga ferri”

Në Ballkan, kafshët e egra vazhdojnë t’i nënshtrohen praktikave të cilat janë zhdukur (ose pothuajse zhdukur) tjetërkund në kontinent. Arinj të mbajtur si atraksione në restorante, “kopshte zoologjike nga ferri” ku lëngojnë luanë raketikë, zogj grabitqarë në kafaze… Për fat të keq, Shqipëria është e palodhur në këtë aspekt. 

“Ky fenomen ka një ndikim të madh në mënyrën se si publiku percepton faunën e egër”, siguron Aleksandër Trajçe. “Këto vende vizitohen nga shumë njerëz, përfshirë shumë fëmijë.

Promovimi i këtyre “spektakleve të vdekjes” mund të ketë efekte negative afatgjata në mendjen e brezave të rinj, të cilët janë shumë pak të edukuar se si të shijojnë faunën e egër.”

Falë presionit nga shoqatat dhe dëshirës për të paraqitur një imazh “pozitiv” të Shqipërisë tek turistët, këto akte mizorie ndaj kafshëve duken se tolerohen pak e më pak.

Kështu, një rrëqebull i Ballkanit ishte “liruar” së fundmi nga një restorant dhe transferuar në kopshtin zoologjik të Tiranës. 

Por, për të mos lejuar që kafshë të tjera të flijohen si ai, OJQ-të tani duan të shohin një zbatim “serioz” të ligjit në raste të gjuetisë së jashtëligjshme. 

“Disa vrasje të tjera të paligjshme mund t’i japin një goditje fatale gjithë popullatës së rrëqebullit të Ballkanit,” paralajmëron Urs Breitenmoser i UICN. 

“Për të parandaluar zhdukjen e tij përfundimtare, ndalimi i menjëhershëm dhe i zgjatur i gjuetisë të paligjshme është thelbësor!”


Botuar më parë tek Libration.fr.

Përkthyer me lejen e autorit nga Exit News.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>