Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin Rama dhe ministrin e Shëndetësisë Beqaj se po bëjnë spastrim politik të personelit në gjithë spitalet e vendit.
“Spastrimet me motiv politik në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit koordinohen nga Ilir Beqaj, kampioni i korrupsionit në qeverinë Rama,” deklaroi deputetja Albana Vokshi në një deklaratë për shtyp.
“Njerëzit hidhen në rrugë, hapen vende për militantët e partisë. Ndërkohë që hidhen në rrugë nëna dhe kyefamiljare që mbajnë fëmijët me pagën e tyre, Beqaj mban militantët e punësuar rishtazi, pa arsim përkatës, pa eksperiencë e që paguhen edhe me të ardhurat dytësore të spitaleve,” vazhdoi më tej Zonja Vokshi.
Ajo denoncoi gjithashtu, mënyrën skandaloze e të paligjshme se si punonjësit e spitalit po pushohen, për të cilën ka pasur dhe denoncime në media.
“Historia shokuese në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku infermierë dhe sanitarë pushoheshin me letër me vrimë, po përsëritet në të gjithë vendin edhe pas denoncimeve në media,” shtoi deputetja e PD-së.
Në fund, Zonja Vokshi i kërkoi KLSH-së, Avokatit të Popullit, prokurorisë e institucioneve ndërkombëtare të hetojnë për këtë skandal dhe të marrin masat e nevojshme.