Partia Demokratike akuzoi sot deputetët dhe ministrat e majtë për emërime klienteliste në administratë.
Enkelejd Alibeaj, kryetari i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, në një konferencë për shtyp, deklaroi se “ky është shteti i Edi Ramës, një shtet i korruptuar, tribal, që funksionon me lidhje nepotike e me rekrutime me para’ në dorë.”
Zoti Alibeaj tha se PD zotëron një dokument konfidencial, që vërteton këto emërime në Drejtorinë e Burgjeve. Në liste, krah emrave të personave të punësuar, është dhe emri i deputetit apo ministrit që i ka punësuar. Deputeti Fatmir Xhafaj ka ndërhyrë për 11 punësime, ministri Tahiri për gjashtë, ministrja Harito për gjashtë , ministri Bushati për pesë raste. Në listë ndodheshin dhe deputetët Vasilika Hysi, Pandeli Majko, Besnik Bare, Sadri Abazi dhe ministrja Nikolla.