Partia Socialiste ka përgatitur disa propozime për ndryshimet në statutin e saj. Një ndër pikat kryesore të këtyre ndryshimeve propozon që kur partia i fiton zgjedhjet parlamentare, mandati i kryetarit rikonfirmohet.
Propozimet për këto ndryshime janë hartuar nga një grup pune i ngritur në selinë e PS-së. Me këto propozime, shmanget proçesi i zgjedhjeve në parti për kryetarin edhe nëse atij i përfundon mandati. Në këtë situatë është aktualisht PS, pasi zotit Rama i ka përfunduar mandati katërveçar i kryetarit dhe nuk janë bërë zgjedhjet në parti. Për mungesën e këtyre zgjedhjeve, zoti Rama është sulmuar shpesh nga kundërshtarët e tij si deputeti Ben Blushi apo edhe ish-presidenti Rexhep Meidani.
Në kongresin e ardhshëm të PS-së, i cili pritet të mblidhet në Janar 2016, do të votohet propozimet e grupit të punës pranë PS-së për ndryshimet në statut. Në këtë paketë propozimesh parashikohen edhe disa ndryshime të tjera përsa i përket organizimit të strukturave të partisë në bazën e saj. Partia do të jetë e organizuar në bazë të reformës së re administrative. Sipas këtij organizimi të ri, do të jenë 61 kryetar partie në bazë, aq sa është edhe numri i bashkive. Një tjetër ndryshim është i ndarjes së vendit në 6 rajone organizative, në krye të të cilave do të jenë deputet të zgjedhur nga kryetari i partisë. Statuti aktual parashikon organizimin e partisë bazuar në ndarjen e mëparshme teritoriale, në 12 qarqe të cilat ndaheshin në bashki e komuna.