Raporti evropian i ILGA-s për LGBTI kritikon Shqipërinë

Nga Exit Staff
Raporti evropian i ILGA-s për LGBTI kritikon Shqipërinë

Shqipëria është renditur e 28-ta nga 49 vende në Evropë dhe Azinë Qendrore në Hartën “Ylberi” të ILGA-Europe 2021 bazuar në raportin vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut të personave LBGTI.

ILGA është Shoqata Ndërkombëtare për Lesbiket, Homoseksualët, Biseksualët, Personat Trans dhe Interseks.

Shqipëria ka arritur vetëm 32 përqind të synimeve të saj për të drejtat e njeriut në lidhje me mbrojtjen dhe mbështetjen e personave LGBTI, sipas ILGA-s. Kjo është pak më e ulët se mesatarja 38 përqind e Evropës dhe 16 pikë më e ulët se mesatarja e BE-së prej 48 përqind.

renditja ilga

Në Shqipëri, personat LGBTI duhet të mbështeten te ndihma e organizatave të shoqërisë civile si Streha dhe Aleanca LGBT për të siguruar ushqim, strehim dhe për ndihmë në paraqitjen e kërkesave për azil.

Një sondazh i organizatës Aleanca zbuloi se 79 përqind e të anketuarve LGBTI duan të largohen nga Shqipëria, megjithëse shumë nga pretendimet e tyre ishin refuzuar. Kjo përputhet me konstatimin e raportit se shumë vende janë bërë më të rrepta në dhënien e kërkesave për azil.

Raporti zbuloi se personat dhe organizatat LGBTI në Shqipëri përballen me diskriminim në të gjitha aspektet e jetës dhe të veprimtarisë së tyre. Për shembull, Aleancës iu desh gati një vit për të gjetur një hapësirë ​​për qendrën e tyre komunitare, pasi u refuzua nga disa pronarë të godinave, duke thënë se nuk donin “para b…”.

Përveç kësaj, “studimi i Aleancës me studentë LGBT të shkollave të mesme dhe universiteteve zbuloi se 65 përqind ndihen të pasigurt në shkollë; 93 përqind kanë dëgjuar sharje homofobike në shkollë shumë shpesh dhe pothuajse një e treta e kanë anashkaluar ose kanë ndryshuar shkollën për shkak të bullizmit”.

Raporti përmend edhe mosavancimin për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat civile, duke iu referuar faktit se në qershor 2021 “autoritetet shqiptare refuzuan të regjistrojnë dy gra, të cilat janë çift i të njëjtit seks, si prindër të dy fëmijëve të tyre. Çështja tani është në Gjykatën Administrative”.

ILGA thekson se media shqiptare ka një problem me gjuhën e urrejtjes drejtuar komunitetit LGBTI. Raporti i referohet deklaratave homofobike të gazetares Blerta Tafani, ku ajo tha në televizionin kombëtar se “është një fatkeqësi e madhe nëse [një person LGBTIQ] lind fëmijë”.

Gjithashtu përmendet edhe një takim i Koalicionit për Familjen Tradicionale, ku u promovua terapia e konvertimit, si dhe një intervistë ku përfaqësues të këtij koalicioni pretendojnë se “homoseksualiteti” mund të kurohet.

Në lidhje me këtë, ILGA thotë se “një studim i Këshillit të Evropës zbuloi se dy të tretat e incidenteve të gjuhës së urrejtjes në Shqipëri synojnë personat LGBTI”.

Raporti zbuloi gjithashtu se OJQ-të kanë pak mbështetje nga qeveria shqiptare për t’i futur çështjet LGBTI në arsimin publik apo për të zbatuar Planit Kombëtar të Veprimit LGBTI që u mriatua në nëntor.

“Zbatimi i Planit të mëparshëm Kombëtar të Veprimit LGBTI mbeti i mangët, me vetëm Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që përmbushi përgjegjësitë e saj dhe bashkëpunoi me OJQ-të”, thuhet në raport.

Ka gjithashtu pak vullnet për bashkëpunim nga ana e partive politike, ku “asnjë nga partitë politike që konkurrojnë në zgjedhje nuk iu përgjigj pyetësorit të Aleancës mbi çështjet e të drejtave për personat LGBTI, ose nuk i përfshijnë çështjet LGBTI në programet e tyre”.

Sidoqoftë, në shkurt 2022, OJQ-të botuan manualin “Pjesëmarrja Politike e Personave LGBTI në Shqipëri: Udhëzues për partitë politike shqiptare”, i cili është i pari i këtij lloji në vend.

Në përgjithësi, në raport Shqipëria doli në të njëjtin nivel me vendet e tjera të rajonit dhe më mirë se Evropa Lindore. Megjithatë, raporti vuri në dukje “një rritje serioze në vitin 2021 të retorikës anti-LGBTI nga politikanët dhe liderët e tjerë”.

Ai gjithashtu nxori në pah se ka pasur “vendosmëri të përbashkët në shumë vende dhe në nivel evropian për ta trajtuar urrejtjen dhe përjashtimin e personave LGBTI”, ndërsa hapësirat boshe i kanë mbushur organizatat civile nëpër qytete.

 

LEXO  Dhuna në familje, KiE i kërkon Shqipërisë të rregullojë ligjin për kujdestarinë e fëmijëve

 


EU funded RDN

Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>