Zemërim ndaj përdorimit të fëmijëve për propagandë komuniste në Shqipëri

Nga Alice Taylor
Zemërim ndaj përdorimit të fëmijëve për propagandë komuniste në Shqipëri

Të persekutuarit nga regjimi komunist në Shqipëri kanë shprehur indinjatë pasi nëmedia u shfaqën foto nxënësish të veshur me veshje të epokës komuniste teksa festonin 79-vjetorin e krijimit të një batalioni partizan, ngjarje që shkaktoi polemika gjatë fundjavës.

Regjimi komunist në Shqipëri lindi nga partizanët që luftuan kundër forcave fashiste si Italia dhe Gjermania, që u përpoqën të kontrollonin Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Regjimi vazhdoi duke torturuar, burgosur, vrarë dhe persekutuar dhjetëra mijëra njerëz. Mijëra të tjerë u persekutuan në të gjithë vendin. Sot mbi 6000 persona janë ende të zhdukur.

Fotot shfaqnin grupe nxënësish të shkollës që mbanin shaje të kuq në qafë, njësoj siç bënin ‘pionierët’ gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.

Reagimet ishin të shpejta, veçanërisht ato nga të mbijetuarit e burgjeve dhe kampeve të punës. Gazetarët dhe aktivistët dënuan përdorimin e fëmijëve për propagandë.

Një aktivist, Aulon Kalaja, i krahasoi fëmijët me “pionierë të Enverit” dhe e quajti aktivitetin “kriminal”.

“Mendoj se teksti i historisë duhet rishikuar në mënyrë që brezat të njihen me krimet e terrorit të kuq. Poshtë komunizmi”, tha ai.

Tekstet aktuale të shkollave shqipe nuk japin një pasqyrë të saktë të tmerreve të regjimit komunist dhe shumë nxënës nuk e kanë aspak idenë se çfarë ndodhi gjatë pothuajse 50 viteve të sundimit totalitar. Për më tepër, nuk ka asnjë monument zyrtar për viktimat dhe shteti nuk ka kërkuar falje për krimet.

Profesor Ermal Hasimja tha se çdo gjë që ka të bëjë me glorifikimin e komunizmit duhet të hiqet nga sistemi arsimor dhe se duhet të ndalohet indoktrinimi komunist i fëmijëve.

“Turp për shtetin që i toleron,” tha ai.

Kryetari i Unionit për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Arsimit Evi Kushi që të distancohen nga ngjarja dhe të shkarkojnë personat e përfshirë në organizimin e ngjarjes.

“Simbolet e komunizmit shfaqen në Cërrik, ku studentët detyroheshin të mbanin shallin e pionierit. Aktiviteti tregon urrejtje, jo paqe. Rama duhet të distancohet nga manifestimet ideologjike… Kushi duhet të kërkojë falje dhe të shkarkojë drejtorin e shkollës”, tha ai.

Qeveritë shqiptare, si socialiste dhe demokratike, janë kritikuar për dështimin për të ndihmuar vendin të pajtohet me të kaluarën e tij. Që nga rënia e komunizmit mbi 30 vjet më parë, viktimat ende nuk janë kompensuar plotësisht, shumë toka ende nuk u janë kthyer pronarëve të ligjshëm dhe kufomat e mijërave janë ende të zhdukur. Ka pasur gjithashtu pak ndjekje penale të atyre që janë përfshirë në krime kundër qytetarëve dhe ish-komunistët vazhdojnë të mbajnë poste pushteti si në qeveri, ashtu edhe në gjyqësor.

 

EU funded RDN
Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>