100 vjet më parë: zgjedhjet e para në Shqipëri, mësimet e pabesueshme për sot

Zgjedhjet 2021 do mbahen 100 vjet nga zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri. Një shekull më parë, shqiptarët votonin direkt përfaqësuesit e tyre, ndaloheshin kriminelët të garonin, diaspora zgjidhte deputetin e saj, administrata ndalohej të përfshihej në zgjedhje, votimi e numërimi monitorohej nga ndërkombëtarët, rezultati dilte brenda ditës.

Nga Erald Kapri
100 vjet më parë: zgjedhjet e para në Shqipëri, mësimet e pabesueshme për sot

Kongresi i Lushnjës i fund-janarit 1920 i arriti brenda disa muajsh synimet e tij. Shqiptarët ia dolën për herë të parë të vinin nën kontroll territorin e vendit tyre, ndërsa italianët u tërhoqën nga Vlora dhe nga ideja se ‘shqiptarët nuk bëjnë dot shtet”.

Por vjeshta politike e vitit 1920 nisi vrullshëm.

Në Lushnjë ishte rënë dakord që qeveria e Sulejman Delvinës, e dalë prej Kongresit, të jepte dorëheqjen posa të normalizohej situata. Këshilli Kombëtar (parlamenti) prej 35 anëtarësh, gjithashtu, duhej të shpërndahej, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të para të lira dhe demokratike dhe një parlemnti të zgjedhur nga populli.

Por Sulejman Delvina refuzoi të jepte dorëheqjen me argumentin se nuk kishte ende një ligj për zgjedhjet, edhe pse një projektligj ishte bërë gati dhe kishte parimisht miratimin informal të “të mëdhenjve” të politikës.

Natyrshëm, në vend u kristalizuan dy grupet e para politike, që kundërshtinë kryesore e kishin mbi jetëgjatësinë e qeverisë së Sulejman Delvinës.

Në këto kushte, opozita, ose më saktë krahu kundër qeverisë, veproi menjëherë: 18 anëtarë të Këshillit Kombëtar, më shumë se gjysma e totalit, dhanë publikisht dorëheqjen në grup. Ky veprim i hoqi legjitimitetin qeverisë, e cila dha dorëheqjen menjëherë.

Grupet kundërshtare nisën negociatat për kryeministrin e ri dhe brenda ditës iu dha votëbesimi një figure pajtuese e të respektuar, Iljaz Vrionit.

Vrioni krijoi një kabinet të besueshëm i cili u miratua nga Këshilli i Lartë i Shtetit (në kushtet kur Këshilli Kombëtar u shkri) dhe brenda pak ditësh, në dhjetor 1920, Ministria e Brendshme shpalli ligjin për zgjedhjet e reja, pa e kaluar atë në Këshillin Kombëtar, por të mbështetur, përmes bisedimeve informale, nga të dy grupimet politike.

Shqipëria do mbante zgjedhjet në pranverën e vitit 1921.

Reforma e parë zgjedhore e miratuar në Shqipëri ishte nga më të përparuarat e kohës. Vendi do të kishte 78 deputetë, nga të cilët 77 zgjidheshin drejtpërdrejtë nga populli, ndërsa një deputet i rezervohej diasporës shqiptare, në rastin konkret caktohej nga Shoqëria Vatra në SHBA, si grupimi më i rëndësishëm i shqiptarëve jashtë vendit.

Vatra emëroi Fan Nolin, i cili hyri në parlamentin shqiptar si i zgjedhuri i parë i diasporës. Votimi në pjesën tjetër të Shqipërisë kryhej në bazë prefekturash—çdo prefekturë kishte një numër të caktuar deputetësh.

Kandidat për deputet mund të ishte çdo shtetas shqiptar, burrë ose grua, mbi 30 vjeç, i shkolluar dhe person i lirë.

Të drejtën e zgjedhjes, pra të votës e kishin meshkujt, mbi 20 vjeç.

Votimi  bëhej në dy nivele, përmes një ‘sistemi të tërthortë’. Fillimisht, meshkujt e një fshati, lagjeje, qyteti apo komuniteti zgjidhnin një përfaqësues të tyre, i cili duhej të ishte mbi 25 vjeç dhe i shkolluar.

Në fazën e dytë, përfaqësuesit e zgjedhur nga komunitetet brenda prefekturës votonin për të zgjedhur deputetët e prefekturës me anë të votimit të fshehtë.

Nga shtypi i kohës, mësohet, për shembull, se zgjedhjet në prefekturën e Elbasanit u zhvilluan në hotelin më të njohur të qytetit, ku përfaqësuesit e zonave dhe komuniteteve të dnryshme të perfekturës votuan në mënyrë të fshehtë për 8 deputetët e prefekturës. Votimi u u monitoruan nga trupi gjyqësor i prefektureës, media dhe madje vullnetarët amerikanë të Kryqit të Kuq

I gjithë ky proces votimi zgjati përreth një muaj për zgjedhjen e 77 deputetëve të parë shqiptarë, pasi çdo prefekturë shpallte datën e vet për kryerjen e votimit.

Ligji zgjedhor vendosi disa standarde që ishin tejet përparimtare për kohën. Dekriminalizimi ishte një nga standardet bazë: ndalohej kandidimi për individët e dënuar për krime. U ndalohej votimi forcave ushtarake, të cilat duhet të ishin të pavarura, dhe të burgosurve.

Gjithashtu, nëpunësve të shtetit u ndalohej kandidimi nëse më parë nuk jepnin dorëheqjen, ndërkohë që u ndalohej me ligj ndërhyrja në proces zgjedhor.

Ministri i Brendshëm, Mehdi Frashëri, një nga më të respektuarit e kohës së tij për përvojën administrative, hartoi disa urdhra të cilat i shërbyen rregullsisë së procesit.

Faksimile të urdhërave të Ministrit Mehdi Frashëri
Faksimile të urdhërave të Ministrit Mehdi Frashëri

Ai themeloi traditën e parë të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Zyrat e prefekturave u kthyen në zyra informacioni që kishin detyrë të raportonin për çdo incident apo paqartësi.

Gjithashtu, forcat e xhandarmerisë (policia) u urdhëruan nga ministri të qëndrojnë larg procesit zgjedhor dhe të përgjigjeshin për sigurinë vetëm nësepPrefekti kërkonte ndërhyrjen e tyre.

Frashëri u dha zgjidhje praktike disa shqetësimeve reale siç ishte lista e zgjedhësve. Ai sanksionoi një rregull, i cili ka mbijetuar deri në ditët e sotme, sipas të cilit zgjedhësit votojnë aty ku banojnë, “më së paku 6 muaj”.

Për të garantuar zbatimin e këtyre urdhrave, Ministri Frashëri themeloi Inspektoratin e Zgjedhjeve që monitoronte prefektët, ndërsa urdhëroi forcat e armatosura, që më ligj u ndalohej të votonin, të monitoronin nëpunësit “për të mos lejuar ndërhyrje”, një lloj mekanizmi “hajduti ruan hajdutin”.

Zgjedhjet përfunduan në prill 1921 pas rreth 1 muaji procesi zgjedhor.

U raportuan disa incidente që vinin kryesisht nga përplasjet në zona të caktuara për shkak të influencës mes individëve të ndryshëm.

Nëse në Elbasan votimet shkuan normalisht për shkak se Prefektura dominohej nga influenca e një individi si Shefqet Vërlaci, s’mund të thuhet e njëjta gjë në Korçë ku përplasjet ishin të përditshme.

Sërish nuk munguan denoncimet për blerje votash, kërcënimet me armë ndaj zgjedhësve apo ndikimi i administratës dhe forcave të xhandarmerisë.

Në fund, zgjedhjet u dominuan nga krahu konservator ose siç njihej ndryshe “krahu kombëtar” dhe nuk pati kontestim për rezultatin e zgjedhjeve.

Me hapjen e punimeve të Parlamentit të parë të zgjedhur, ende nuk ishte kristalizuar një maxhorancë solide dhe kjo u manifestua me kërkesën e rizgjedhjes së Iljaz Vrionit kryeministër.

Parlamenti i parë shqiptar ia doli më tej të kryente një tranzicion që çoi në zgjerimin e Statutit të Lushnjës, një formë Kushtetute të plotë, të hartonte ligje të nevojshme për mbarëvajtjen e administratës, të kristalizonte dy grupet e para politike, dhe mbi të gjitha të themelonte një elitë të re politike.

Sot, 100 vite më pas, trashëgojmë probleme të vjetra, por jo zgjidhje të reja. Disa beteja të rëndësishme për votën e lirë, vendi i ka fituar prej 1 shekulli por disa nuk po i zbaton dot ende.

Çfarë të bën të reflektosh është fakti se  pikërisht 100 vite më parë, kur besohej se mbi 80 për qind nuk dinin shkrim e këndim, shqiptarët votonin me votë përfaqësuesit e tyre të drejtpërdrejtë në parlament.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme