Ministri britanik i Drejtësisë Michael Gove ka përdorur sërish Shqipërinë për të paralajmëruar qytetarët e tij se ç’mund të pësojë Britania nëse vende si Shqipëria anëtarësohen në Bashkimin Europian.
“Nëse mendoni tani se BE është keq, prisni derisa të hyjë Shqipëria në Bashkimin Evropian”, shkruan ministri në një artikull në të përditshmen britanike DailyMail.
Zoti Gove përmend dhe shifrat e kriminelëve të huaj në Britani, ku sipas të dhënave zyrtare 1 në 20 të burgosur të huaj është shqiptar.
Ai shkruan gjithashtu, se shuma prej 20 miliardë stërlinash që Britania duhet të japë për vendet e Ballkanit që duan të anëtarësohen në BE, mund të ishte përdorur për nevoja të tjera të shtetit. Kjo shumë është më e lartë se shuma që Britania paguan për luftën kundër kancerit në Shërbimin Shëndetësor të vendit.
Ministri i Drejtësisë Michael Gove mbështet daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE, njohur si Brexit. Ai ka përdoru Shqipërinë si një shembull negativ në fushatën e tij për të bindur qytetarët të votojnë pro daljes së vendit nga unioni europian.
Zoti Gove, pak ditë më parë, ka zhvilluar një fushatë informuese për britanikët, në të cilën ka treguar foto të ndryshme që tergojnë prapambetjen e Shqipërisë.
Kohët e fundit, Shqipëria po përdoret nga politikanë të ndryshëm europianë si shembull për të treguar se si nuk duhet bërë qeverisja e një vendi. Ish-ministrja e Kulturës franceze Filipetti përmendi Shqipërinë si një vend ku mungon demokracia, ndërsa lideri laburist britanik Jeremy Corbyn, në fjalimin e tij përdori një shprehje të Enver Hoxhës, gjë që u përfol në mediat e njohura britanike.