12 vite pavarësi drejt sfidave të reja për Kosovën

Nga Altin Gjeta
12 vite pavarësi drejt sfidave të reja për Kosovën

12 vjet më parë, si sot, përfaqësuesit e popullit në Kuvend e shpallën Kosovën një shtet të pavarur në koordinim me përkrahësit e saj ndërkombëtarë, përkatësisht SH.B.A., MB dhe disa nga vendet më të fuqishme të BE-së.

Deklarata e pavarësisë erdhi pasi bisedimet dyvjeçare për zgjidhjen e statusit përfundimtar midis Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, dështuan. Kjo bëri që i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisaari të paraqiste propozimin e tij për zgjidhjen e statusit, të ashtuquajturin “Plani Ahtisaari”, i cili propozoi që pavarësia e mbikëqyrur ishte e vetmja zgjidhje e zbatueshme për Kosovën.

Plani Ahtisaari përvijoi shtet-formimin për Kosovën. Ai e konceptoi Kosovën si një shtet multi-etnik, që do të qeveriset në mënyrë demokratike dhe në respekt të plotë të sundimit të ligjit përmes institucioneve të tij legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Që atëherë, Kosova ka arritur të ndërtojë institucionet e saj demokratike, të sigurojë shërbime publike, paqe dhe siguri për qytetarët e saj, dhe ka shpallur shtetin sovran brenda kufijve dhe ndërkombëtarisht.

Megjithëse një shtet fare i ri, Kosova mban zgjedhje relativisht të lira dhe të ndershme, ka ndërmarrë reforma ekonomike dhe është bërë një burim i sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Në vitin 2017 Kosova u njoh nga rreth 115 shtete, ajo nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në dhe nisi anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare. Sidoqoftë, përkundër këtyre arritjeve, për fat të keq shtetësia e Kosovës mbetet e diskutueshme.

Përcaktimi nga bashkësia ndërkombëtare si një shtet multietnik ka qenë kundërproduktiv. Ai nuk e ka rritur integrimin ndërkombëtar të Kosovës siç pritej dhe as e ka ndihmuar pajtimin ndëretnik dhe komunikimin mes komuniteteve. Përkundrazi, politika multi-etnike ka forcuar ndarjen ndëretnike midis shqiptarëve dhe serbëve.

Siç argumentojnë Roeder dhe Rothchild në librin e tyre Paqja e Qëndrueshme: Pushteti dhe Demokracia pas Luftërave Civile, organizimi i shoqërisë politike përgjatë linjave etnike rrezikon të thellojë ndarjet etnike dhe të vonojë perspektivën për pajtim dhe transformim progresiv drejt një shoqërie integruese.

Fiksimi i bashkësisë ndërkombëtare për të ndërtuar një shtet multi-etnik në Kosovë ua ka dhënë pushtetin elitave etno-nacionaliste, gjë që nga ana tjetër ka hapur rrugën drejt një shtetësie me sovranitet të fragmentuar.

Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë nuk ushtrojnë kontroll të plotë në veri, i cili banohet në shumicë nga serbët, që falë shtetit serb e kanë refuzuar që në fillim pavarësinë e Kosovës.

Që nga zgjedhjet e vitit 2014, partia e sponsorizuar nga Beogradi, Lista Serbe, ka fituar vendet e rezervuara për serbët në Kosovë, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal. Ata e përdorin këtë pushtet për të penguar funksionimin e shtetit. Për shkak të sistemit zgjedhor dhe kërkesave të Kushtetutës, formimi i qeverisë në Kosovë varet nga partitë e pakicave etnike.

Autonomia lokale e segmentuar dhe vendet e garantuara për serbët e Kosovës në Parlament rrezikuan ta bëjnë Kosovën një shtet jofunksional dhe të bëhen një mjet në dorën e Serbisë për ta gërryer shtetësinë e Kosovës.

Edhe drejtuesi i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili ishte zotuar të mos e përfshinte në qeveri Listën Serbe, bëri të kundërtën dy javë më parë kur u votua si Kryeministri i ri i Kosovës. Pra, çdo qeveri në Kosovë mbetet e dobët dhe e kontrolluar pjesërisht nga Lista Serbe dhe de facto nga Beogradi.

Kjo ka bërë të mundur që Serbia të fitojë një lloj kontrolli mbi shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Kosova u detyrua gjatë këtyre viteve të rinegociojë me Serbinë sovranitetin e vet territorial dhe shtetësinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 – të nënshkruara nën ndërmjetësimin e ish-kryediplomates së BE-së Kethrin Eshton – ishin plot paqartësi. Ato përforcuan më shumë ndarjen ndëretnike, duke krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo e ka gërryer më tej sovranitetin territorial të Kosovës, duke krijuar bazën për një Republika Srpska në veri të vendit, të ngjashme me Bosnjen.

Dialogu as nuk e ka ndihmuar Kosovën të afirmojë shtetësinë e saj ndërkombëtarisht. Njohja e pavarësisë së saj ka ngecur dhe, për ta përkeqësuar çështjen, Serbia ka shfrytëzuar situatën e pasigurt që dialogu ka krijuar për të lobuar kundër pavarësisë së Kosovës dhe për ta zbatuar më tej planin për ndarjen e saj.

Serbia vazhdon të bëjë fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si UNESCO, INTERPOL dhe OKB. Ironikisht, dialogu nuk ka normalizuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por ka normalizuar imazhin e Serbisë në botë. Perëndimi nuk ka kuptuar që Serbia nuk ka ndryshuar shumë që nga vitet nëntëdhjetë. Vuçiçi nuk është Millosheviç, por është nxënës dhe admirues i zjarrtë i tij.

12 vjet pas pavarësisë së saj, megjithëse Kosova shfaqet në pamjen e një shteti të mirëfilltë, por ende përpiqet t’i vërë vulën një herë e përgjithmonë shtetësisë së vet. Ndërsa dialogu pritet të rinisë, është koha që bashkësia ndërkombëtare të pranojë disa nga dështimet e saj në Kosovë dhe të mbrojë investimin e saj afatgjatë. Ajo duhet të rikonceptojë kushtet e negociatave dhe duhet që presionin ta ushtrojë mbi agresorin dhe jo mbi viktimën. Përndryshe, reputacioni që kanë ndërtuar në Kosovë si mbrojtës të lirisë dhe të drejtave të njeriut gjatë dy dekadave të fundit do të fillojë të zbehet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>