Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot, kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri si të implikuar në skandalin e pajisjes së përgjimit dhe kërkoi largimin e tyre.
Reagimi i zotit Basha erdhi menjëherë pas pezullimit nga detyra me vendim gjykate të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me pajisjen e përgjimit.
“Partia Demokratike nuk do të pranojë koka turku në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin, sigurinë kombëtare. Inkurajojnë hetimin e plotë të zinxhirit që kulmon më Tahirin. Kryeministri Rama po e mban me thonj Tahirin. Kjo nënkupton implikimin e ministrit Tahiri dhe kryeministrit Rama në këtë aferë. Nëse është kështu, dorëheqja e tyre është domosdoshmëri”, u shpreh zoti Basha.
Ai i kërkoi prokurorisë hetimin e të gjithë personave të përfshirë në futjen apo përdorimin e pajisjes së përgjimit në mënyrë të paligjshme.