Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot, kryeministrin Rama se po ushtron presion mbi gjykatat për zbardhjen e çështjes së pajisjes së përgjimit.
“Sot që flasim, kryeministri po ushtron presion mbi gjykatën e Apelit, për të lënë kokën e turkut Haki Çakon për ta kthyer në detyrë. I bëj thirrje të heq dorë nga presioni i drejtësisë sa herë që nisin çështjet e korrupsionit ndaj qeveritarëve, si dhe i bëj thirrje në veçanti të ndalë presionin ndaj Apelit dhe Prokurorisë për skandalin e skandaleve atë të përgjimit dhe të largojë nga detyra Tahirin” u shpreh Zoti Basha, në konferencën për antikorrupsion dhe transparencë.
Zoti Basha, gjithashtu, i kërkoi shumicës parlamentare të votojë për draftin e reformës në drejtësi sipas garancive, e jo sipas tekave dhe kapriçove. Ai tha se kryeministrin Rama e refuzon draftin e reformës, pasi koncepti i tij i drejtësisë është të kërcënojë prokurorët dhe gjykatësit si në rastin e çështjes së pajisjes së përgjimit.