Përveçe një piktor me famë ndërkombëtare; artist i artit bashkëkohor i njohur në gjithë botën për lyerjen e fasadave të Tiranës; dizenjues i shumë mjediseve të brendshme e jashtme në Shqipëri, përfshi zyrat dhe sallat e Kryeminsitrisë, mjediset e qendrës COD, sallën e pritjes në Aeroportin e Rinasit, mjedisve të brendshme të stadiumit të ri kombëtar; ditët e fundit, Kryeministri Rama na ka bërë me dije se ai është edhe kritik arti, stilist, arkitekt e inxhinier ndërtimi.
Më poshtë janë disa nga deklaratat e vetë Kryeministrit që i pohojnë këto aftësi.
Si kostumograf, 21 qershor 2016:
I thashë Presidentit [të FSHF-së Armando Duka], ‘po më dëgjuat mua bëjeni gri e jo të zi kostumin [e kombëtares], sepse është shumë më elegant për një skuadër futbolli dhe për më tepër, në qershor është shumë më i përshtatshëm. Do ta kisha dashur edhe pak më të hapur në fakt, po prapë është shumë mirë!’
Si kritik arti, 21 qershor 2016:
Shikoni se çfarë tmerri estetik është ajo shëmbëlltyra e shqiponjës së flamurit, e vendosur tek hyrja e Tiranës. S’ka asgjë nga pesha dhe finesa e origjinalit në fushën e kuqe të flamurit, zero! Përkundrazi, është një alterim vrastar për sytë, një siluetë agresive në boshllëk!
Si arkitekt dhe inxhinier ndërtimi, 8 qershor 2016:
Një përgëzim shumë i sinqertë edhe për faktin se [kulla TID] është e vetmja godinë e ndërtuar në Tiranën e pas 1900, që ka respektuar në frymë dhe në gërmë të gjitha kushtet e përshkruara në projektin e zbatimit.