Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Europian. Ky është rezultati i dalë nga referendumi zhvilluar dje në gjithë Mbretërinë.
Në Angli, Uells, Skoci, Irlandën e Veriut dhe Gjilbraltar, 52 për qind e votuesve votuan për daljen nga BE-ja dhe 48 për qind për qëndrimin brenda BE-së.
Menjëherë pas zyrtarizimit të rezultatit, kryeministri britanik David Cameron, mbështetës i qëndrimit në BE, deklaroi se do të largohet nga detyra në tetor të këtij viti.
Nga ana tjetër, drejtuesit kryesorë të fushatës për daljen nga BE, Boris Johnson, ish-kryebashkiaku i Londrës, dhe Nigel Farage, kreu i Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) e quajtën rezultatin një fitore për britanikët e zakonshëm që vetëm kanë patur humbje nga BE.
“Le t’i heqim qafe flamurin [e BE-së], himnin evropian, Brukselin zyrtar dhe të gjitha gjërat që kanë shkuar keq deri më tani,” deklaroi Nigel Farage, politikani që prej vitesh ka mbajtur qëndrim kundër BE-së.
Pas 40 vjetësh anëtare, Britania bëhet i pari vend që largohet nga Bashkimi Europian. Votimi pro daljes ka influencuar menjëherë në vlerën e paundit, monedhës britanike, duke e çuar atë në nivelin më të ulët që prej vitit 1985. Ende nuk dihet ndikimi i plotë i këtij vendimi në ekonomi dhe se si do të rregullohen marrëveshjet tregtare mes Britanisë dhe vendeve të BE-së.
Duke qenë se nuk ka një precedent të mëparshëm të një shteti anëtar me të drejta të plota që është larguar nga BE-ja, është e vështirë të përcaktohet se si është procedura e saktë e shkëputjes nga BE-ja dhe sa kohë do të kërkojë kjo procedurë. Në fjalën e tij të dorëheqjes, konservatori Cameron tha se “nuk e mendon të drejtë të jetë ai personi që ta udhëheqë vendin drejt daljes dhe drejtimit të ri.”
Kryeministri i ri britanik do të zgjidhet në konferencën vjetore të Partisë Konservative në tetor 2016. Favoriti kryesor aktualisht duket se është Boris Johnson, një tjetër konservator, ish kryebashkiaku i Londrës, që mbështeti fushatën për daljen e vendit nga BE-ja.