Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE do të ketë ndikim të madh në mbarë botën, nga marrëdhëniet ndërkombëtare tek rivlerësimi i sistemit politik dhe ekonomik të paktën të botës perëndimore.
Vendimi i qytetarëve britanikë nuk mund të shpjegohet thjesht me padijen apo mashtrimin e qytetarëve nga politikanë të paskrupullt. Në çdo rrethanë, ai është shenjë e qartë se në sistemin dhe shoqëritë e sotme perëndimore diçka thelbësore është duke shkuar gabim dhe duhet korrigjuar.
Hamëndësimet për të ardhmen janë të shumta dhe saktësia e tyre do të shihet në muajt dhe vitet e ardhshme, por disa ndikime mund të thuhen me një farë sigurie që sot.
- Brexit është një goditje e rëndë për integrimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të BE-së. Dalja ka shuajtur, të paktën për momentin, ëndrrën e një Europe të bashkuar.
- Brexit është, gjithashtu, goditje e rëndë për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, pasi tashmë fokusi do të jetë më shumë në fuqizimin e brendshëm të Bashkimit. Nga ana tjetër, BE do të jetë shumë më e ndjeshme ndaj emigracionit të brendshëm dhe të jashtëm — i cili qe shkaku kryesor i votës pro daljes nga britanikët—çka do të çkurajojë zgjerimin e mëtejshëm.
- Dalja e MB-së do të dëmtojë pushtetin politik dhe ekonomik të BE-së në marrëdhëniet me botën. Britania është fuqia e dytë ekonomike e BE-së dhe e pesta në botë. Pa Britaninë si pjesë të saj, BE do ketë më pakforcë për të imponuar kushte dhe përfituar lehtësira në marrëdhënie më palët e treta, veçanërisht në fushën e tregtisë.
- Brexit do të jetë goditje për tregtinë, nga e cila do të vuajnë si eksportuesit ashtu edhe importuesit britanikë. Prodhuesit britanikë do të humbasin qasjen direkte, pa pengesë, në tregun e përbashkët europian me afërsisht 500 milionë konsumatorë, pasi prodhimet britanike do të ndeshin rregulla, kuota, tarifa dhe pengesa të tjera të cilat do të rrisin koston dhe do ta bëjnë më të vështirë futjen e mallrave britanike në tregun e BE-së dhe anasjelltas. “Viktimat” e vërteta të vështirësimit të tregtisë do të jenë qytetarët europianë britanikë dhe jobritanikë.
- Statusi i MB-së si një prej qëndrave kryesore të biznesit botëror do të dobësohet. Rreth 40 përqind e kompanive më të mëdha të botës kanë selinë e tyre globale apo europiane në Londër.Tashmë një pjesë e tyre do ta kenë më të përshtatshme ta lëvizin selinë, veçanërisht selinë europiane, në vende të tjera të BE-së. Kjo lëvizje do të ketë efekte në rritjen e papunësisë dhe uljen e të ardhurave nga taksat në Britani.
Goditjen kryesore pritet ta ketë zona financiare e Londrës, e njohur si The City, ku janë përqëndruar të gjitha insititucionet kryesore financiare të botës, të cilat kanë në aty selitë globale, europiane apo një nga degët e tyre më të rëndësishme në botë.
- Edhe pse duket gjëja më paradoksale, MB do të humbasë përfitimet që vinë nga emigracioni. Qytete të mëdha globale si Londra përfitojnë nga tërheqja e mendjeve të përgatitura dhe telentit nga mbarë bota; nga ana tjetër ekonomitë e zhvilluara përfitojnë nga fuqia e lirë punëtore me kualifikim të dobët e cila mundëson përqëndrimin e burimeve të kualifikuara vendase në përdorime më produktive. Vështirësimi i futjes në tregun britanik të të paktën këtyre dy segmenteve të tregut të punës, do ta dëmtojë ekonominë dhe zhvillimin e Britanisë.
- Efekt i mundshëm mund të jenë prishja e balancës së brendëshme të MB-së dhe shtimi i përpjekjeve për çpërbërjen, me lëvizje për t’u ndarë të skocezëve dhe irlandezoveriorëve. Skocezët dhe irlandezoveriorët votuan në masë pro qëndrimit dhe tashmë po shprehin hapur pakënaqësinë e tyre që anglezët po ju imponojnë edhe një herë tjetër vullnetin e tyre.
Përtej kësaj, dalja mund të ketë kosto të vecanta për ta. Kështu irlandezoveriorët do të hasin pengesa në marrëdhëniet me irlandëzt, për shkak të kufizimeve që mund të vihen mbi lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave mes MB-së dhe BE-së — dalja mund t’i rindajë irlandezët, të cilët edhe pse në dy shtete të dnryshme kanë jetuar prej kohësh praktikisht si një komb thuajse i bashkuar falë anëtarësisë në BE.
- Dalja mund të ketë, gjithashtu, një efekt domino brenda BE-së, ndërsa vende të tjera, sidomos ato veriperëndimore, mund të kërkojnë të ndjekin shembullin e MB-së. Nëse kjo gjë do të ndodhë qoftë edhe me një vend tjetër, BE mund të ndeshë fillimin e fundit të saj.
Efektet makroekonomike, përfshi ndikimin e Brexit në rritjen ekonomike të BE-së dhe MB-së, janë më të vështira për t’u parashikuar. Po ashtu është vështirë të parashikohen ndikimet e tjera sociale dhe politike brenda MB dhe vetë BE-së.
Megjithatë, një gjë mund të thuhet në mënyrë të arsyeshme: reagimi i parë pas një lajmi si ky është më i rëndi dhe perspektiva duket më e zymtë atëhere.
Me kohën, efektet psikologjike dhe paniku fillestar do të fillojnë të shpërndahen dhe të gjithë do të bëhen më realistë e më optimistë ndaj situatës së re dhe mundësive të shumta që ekzistojnë edhe me MB jashtë BE-së.