“Kisha Katolike dhe të krishterët duhet t’i kërkojnë falje homoseksualëve për mënyrën se si i kanë trajtuar ndër vite. Nëse dikush është në atë situatë, ka vullnet të mirë dhe kërkon Zotin, kush jam unë për ta gjykuar?!”
Kjo ishte deklarata e Papa Franceskut bërë dje gjatë një bisede më gazetarët në aeroplanin papal.
Papa Francesku shtoi më tej, se të krishterët duhet të kërkojnë falje për shumë veprime, jo vetëm ndaj homoseksulaëve, por dhe të varfërve, grave që janë shfrytëzuar apo fëmijëve që janë detyruar të punojnë. “Duhet të kërkojmë falje që kemi ‘bekuar’ kaq shumë armë”, u shpreh ai lidhur me mungesën e qëndrimeve të Kishës për luftrat në vende të ndryshme të botës.
Deklarata e papës është përshëndetur nga komuniteti i homoseksualëve në gjithë botën, por njëkohësisht është kritikuar nga konservatorët katolikë. Sipas tyre, komentet e Atit të Shenjtë nuk janë shumë të qarta dhe krijojnë konfuzion për moralin seksual.
Papa Françesku njihet si papa më i hapur ndaj komunitetit homoseksual. Deklaratat e tij lidhur me faljen e grave që kanë kryer abort – një prej mëkateve më të rënda sipas Kishës Katolike – apo për ateistët janë cilësuar si përpjekje e Atit të Shejtë për ta bërë krishtërimin sa më pak konservator e më të afërt me njerëzit.