Përballë mungesës së konsensusit me opozitën për reformën në drejtësi, socialistët kanë filluar të përhapin idenë e anashkalimit të Kuvendit dhe miratimin e reformës direkt nga populli në referendum. Kanë qenë ish-kryeministri socialist Majko dhe pastaj zëvendës Kryeministri aktual Peleshi të cilët kanë shprehur në publik opsionin e referendumit, nëse reforma nuk arrin të miratohet nga Kuvendi ose anashkalimin fare të Kuvendit dhe shkuarjen direkt në referendum.
Por sa e mundur është thirrja e referendumit për reformën në drejtësi? Pothuajse e pamundur. Exit shpjegon më poshtë se pse.
Reforma në drejtësi përfshin amendim të Kushtetutës dhe ajo mund të miratohet vetëm sipas procedurës që zbatohet për ndryshimin e Kushtetutës.
Procedura e miratimit të amendamenteve kushtetuese është e përcaktuar nga vetë Kushtetuta në Nenin 177 të saj. Kjo procedurë zhvillohet si më poshtë:
- Amendamentet kushtetuese miratohen me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit, pra me votat e 94 deputetëve. Kaq mjafton që ndryshimet të hyjnë në fuqi, nëse nuk ushtrohet e drejta e shpjeguar më poshtë.
- Pas miratimit nga Kuvendi, me kërkesë të një të pestës së Kuvendit, pra të paktën të 28 deputetëve, drafti i miratuar mund të kalohet për miratim me referendum popullor. Në këtë rast, rezultati i referendumit është përfundimtar.
- Ndryshimet Kushtetuese mund të bëhen direkt me referendum popullor, pa u votuar fare në Kuvend, por në këtë rast kërkesa për referendum duhet të miratohet nga dy të tretat e Kuvendit.
Siç kuptohet nga më sipër, që reforma në drejtësi të kalojë për miratim me referendum, duhen votat e dy të tretave të Kuvendit:
- dy të tretat për të miratuar fillimisht draftin në Kuvendi dhe pastaj 28 deputetë për ta kaluar atë në referendum; ose
- dy të tretat e Kuvendit për të kërkuar kalimin e draftit direkt në referendum, pa patur nevojë për miratimin e saj paraprak në Kuvend.
Socialistët opsionin e referendumit po e sjellin pikërisht pasi nuk arrjnë të sigurojnë dy të tretat për miratimin e saj në Kuvend, por nga ana tjetër pa siguruar dy të tretat ata nuk mund ta kalojnë reformën ne referendum.
Me shumë gjasa, ata e dinë këtë gjë por po kopjojnë taktikën e kërcënimit që zgjodhi ish-Kryeministri Berisha, në vitin 2013, kur opozita refuzonte të miratonte tre ligjeve që ishin kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe që kërkonin dy të tretat e Kuvendit për miratim. Miratimi i tyre u bllokua, pikërisht, nga Partia Socialiste në opozitë.
Në pamundësi për t’i bindur socialistët për miratimin e ligjeve, Zoti Berisha hodhi idenë se ligjet mund të kalonin për miratim direkt nga populli me referendum, si kërcënim ndaj tyre (më në fund ata i votuan ato pak javë para zgjedhjeve të 2013).
Po ndërsa në rastin e tre ligjeve referendumi mund të ishte një zgjidhje e mundshme, edhe pse praktikisht e vështirë për t’u arritur, në rastin e tanishëm opsioni i referendumit është i pamundur.