Prej mbrëmjes së djeshme, Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi, bashkë me ministrin Ahmetaj e deputetin Fino.
Pavarësisht se vizita ishte parashikuar përpara sulmit terrorist të ndodhur dje, ky i fundit u kthye në temën kryesore të bisedimeve mes Zotin Rama, Presidentit turk Erdogan dhe Kryeministrit turk Yildirim.
Gjatë takimit me Presidentin Erdogan, Kryeministri Rama shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe mbështetjen e Shqipërisë për Turqinë në këto momente të vështira.
Ndërsa pas takimit me Kryeministrn Yildirim, dy kryeministrat mbajtën një konferecë të përbashkët për shtyp. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama deklaroi se “qeveria shqiptare do të përkrahë qeverinë turke në luftën kundër murtajës terroriste që vret dhe gjakos në emër të një zoti, që vetëm me Zotin dhe me porositë e profetëve nuk ka asnjë lidhje.”
Për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ç’ka ishte dhe tema kryesore e vizitës, Kryeministri Rama u shpreh:
“Folëm edhe për çka mund të bëjmë së bashku në drejtim të projekteve, jo vetëm kombëtare, por dhe rajonale që lidhen me energjinë dhe sigurisht edhe për sjelljen e më shumë kompanive që krijojnë vende të reja pune dhe që përfitojnë nga një sistem trajtimi fiskal i favorshëm dhe me një afërsi gjeografike shumë te favorshme, në kushtet ku do të arrijmë të krijojmë sëbashku, – shpresoj dhe me kontributin e drejtpërdrejtë të kompanive turke – zona të reja ekonomike. Mendojmë që jemi në kushtet kur mund të hapim një faqe të re në këtë bashkëpunim.”
Kryeministri Rama, gjatë ditës, kreu dhe homazhe në mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut.
Nesër, Kryeministri Rama do të pritet nga Kryetari i Parlamentit turk Ismail Kahraman.