Gjykata e Lartë e Austrisë anulloi sot rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, dhe vendosi përsëritjen e tyre.
Partia e Lirisë, e cila humbi zgjedhjet, sfidoi rezultatin duke thënë se votat e dërguara me postë u administruan në shkelje me ligjin dhe në mënyrë të papërshtatshme.
Kandidati i Partisë së Lirisë, parti e të djathtës ekstreme Norbert Hofer i humbi zgjedhjet kundër kandidatit të Partisë së Gjelbër Alexander Van der Bellen, me një diferencë prej 30,863 votash, ose më saktë më pak se një pikë përqindje.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, gjatë njoftimit të vendimit, tha se: “ Ankesa e bërë nga kryetari i Partisë së Lirisë Heinz- Christian Strache kundër rezultatit të zgjedhjeve të mbajtura më 22 Maj ….u pranua”.
Ai shtoi: “Vendimi, të cilin po e njoftoj sot nuk ka as fitues as humbës, ai ka vetëm një qëllim: të forcojë besimin në zbatimin e ligjit dhe të demokracisë”.
Ky vendim është fitorja morale e partisë së të djathtës ekstreme, anti- emigrante dhe euroskeptike, e cila filloi një ankesë ligjore muajin e kaluar pasi akuzoi për parregullsi “ të frikshme” gjatë procesit të administrimit të votave.
Gjatë dy javëve të dëgjimit të provave në Gjykatën e Lartë, avokatët e Partisë së Lirisë argumentuan se votat e dërguara me postë u administruan në shkelje të ligjit në 94 nga 117 zona zgjedhore
Ato thanë se qindra vota u hapën më shpejt se sa koha e lejuar nga rregullat zgjedhore dhe disa vota u numëruan nga njerëz të paautorizuar.
Gjithashtu, Partia e Lirisë deklaroi se ka prova që disa persona nën moshën 16 vjeç dhe disa të huaj janë lejuar të votojnë.
Në vendimin e saj, gjykata tha se janë shkelur rregullat zgjedhore në një mënyrë të tillë që të mund të ndikojnë rezultatin. Por, ajo tha se nuk ka asnjë provë që numërimi të jetë manipuluar.
Nëse do të kishte fituar Zoti Hofer, ai do të ishte i pari President i Austrisë i zgjedhur nga një parti e të djathtës ekstreme.