Brexit, kreu i UKIP Farage jep dorëheqjen pas fitores

Brexit, kreu i UKIP Farage jep dorëheqjen pas fitores

Nigel Farage, arkitekti  dhe udhëheqësi kryesor i fushatës Brexit, dha sot dorëheqjen nga drejtimi i partisë së tij.

“Gjatë fushatës thoja ‘Më ktheni vendit tim’, ndërsa tani dua të më kthehet jeta ime,” deklaroi Farage para anëtarëve të partisë së tij. “Jeta ime fillon që tani,” vazhdoi ai duke duke u lënë podiumin në shenjë simbolike të largimit nga politika dhe rikthimit në jetën e përditshme.

Në një akt jo shumë të zakontë, Farage dha dorëheqjen pasi arriti të përmbushë qëllimin dhe dëshirën më të madhe të karrierës së tij politike: shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Shumë kush do ta kishte kërkuar të ushtronte pushtetin politik të arritur pas këtij triumfi, por Farage ka vendosur t’i hapë rrugën politikanëve të tjerë, brenda partisë së tij dhe në përgjithësi në politikën britanike.

“Unë lashë biznesin për politikën, sepse dëshiroja që ne të ishim një shtet që vetëqeveriseshim, jo sepse doja të bëja karrierë në politikë”, deklaroi ai duke dhënë një shembull se dorëheqja nuk është vetëm për ata që humbasin.

Nigel Farage është ndoshta i vetmi politikan anglez që gjithë karrierën e tij politike 25 vjeçare e ka kaluar për një qëllim të vetëm—daljen e vendit nga BE-ja. Në vite ai ishte në qendër të sulmeve mediatike e politike pasi idetë e tij kundër BE-së cilësoheshin delirante e aspak realiste.

Kreu i UKIP është i treti drejtues i lartë i politikës britanike që jep dorëheqjen pas referendumit të 23 qershorit.

Kryeministri David Cameron, udhëheqësi i fushatës pro qendrimit në Bashkimin Evropian, dha dorëheqjen menjëherë pas zyrtarizimit të rezultatit të referendumit. Ai, njësoj si Farage, tha se vendit i duhet drejtues të rinj për ta udhëhequr në këtë drejtim të ri.

Ish kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, njëkohësiht dhe kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Partisë Konservatore, në tetor 2016, pas dorëheqjes së kryeministrit Cameron, deklaroi pak ditë më parë, se nuk do të kandidonte për drejtimin e partisë.

Boris Johnson, pavarësisht se ishte një mbështetës i zjarrtë i daljes së vendit nga BE-ja, humbi mbështetjen e votuesve kur deklaroi se nëse ai do të ishte kryeministër, do të zgjaste sa më shumë procedurat e shkëputjes së MB-së nga BE-ja.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>