Shqipëria si “vend i sigurtë origjine” dhe pse PD akuzon pa të drejtë qeverinë? — Exit shpjegon

Shqipëria si “vend i sigurtë origjine” dhe pse PD akuzon pa të drejtë qeverinë? — Exit shpjegon

Gjykata e lartë administrative e Belgjikës, Këshilli i Shtetit, ka anulluar para një jave një dekret mbretëror që e shpallte Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit vende të sigurta origjine.

Vendimi i qeverisë të Belgjikës, zyrtarizuar me dekret mbretëror, ishte ankimuar në gjykatën administrative nga tre organizata belge të të drejtave të njeriut.

Exit shpjegon më poshtë çështjen dhe vendimin e gjykatës belge.

Çfarë është një “vend i sigurtë origjine”?

Komisioni Europian prezantoi në vitin 2005 konceptin e “vendit të sigurtë të origjinës” me qëllim përmirësimin e eficensës dhe uljen e abuzimeve në trajtimin e kërkesave për azil nga vendet jashtë BE-së.

Sipas direktivës, një vend konsiderohet “vend i sigurtë origjine” nëse në të respektohen dhe mbrohen të drejtat dhe dinjiteti i njeriut. Më konkretisht, direktiva përcakton se që të shpallet “i sigurtë” një vend duhet të ketë sistem demokratik qeverisje, ku qytetarët nuk persektohen, nuk turturohen apo ndërshkohen në mënyrë degraduese, dhe nuk kërcënohen me dhunë. Gjithashtu, vendi nuk duhet të ketë konflikte të armatosura.

Nëse një kërkesë për azil vjen nga një qytetar i një “vendi të sigurtë origjine” ajo, edhe nuk mund të refuzohet automatikisht dhe duhet të vlerësohet në bazë të meritave individuale, vendi pritës ka të drejtë të përdorë procedura të përshpejtuara të shqyrtimit të kërkesës, dhe, mbi të gjitha, të riatdhesimit të atyre që u është refuzuar azili.

Me fjalë të tjera, statusi i vendit të sigurtë, i lejon vendet pritëse të marrin vendime të shpejta për kërkesat për azil dhe t’i kthejnë mbrapsht menjëherë azilkërkuesit që u është refuzuar kërkesa. Në këtë mënyrë, këto vende shmangin procedurat e gjata administrative dhe gjyqësore, të cilat zakonisht marrin deri në disa vjet; shmangin kostot e larta që kërkon mbajtja e azilkërkuesve për një kohë të gjatë; si dhe ulin numrin e të huajve në vendet e tyre pasi azilantët kanë të drejtë të jetojnë lirisht në vend deri në përfundimin e procesit të shqyrtimit të statusit të tyre.

Në përputhje me këtë direktivë, vendet e BE-së mund t’u caktojnë zyrtarisht vendeve të tjera statusin e “vendit të sigurtë të origjinës”, vendime qe rivlerësohen herë pas here. Aktualisht, 12 vende të BE-së caktojnë statuse të tilla: Austria, Belgjika, Bulgaria, Çekia, Gjermania, Franca, Irlanda, Luksembourgu, Letonia, Malta, Slovakia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Të gjitha vendet e mësipërme, me përjashtim të Irlandës, Maltës dhe Sllovakisë, e konsiderojnë Shqipërinë vend të sigurtë origjine. Shqipëria ka, gjithashtu, marrëveshje të veçanta për kithimin e përshpejtuar të azilkërkuesve me disa vende të tjera, përfshi Mbretërinë e Vendeve të Ulta.

Rasti i Shqipërisë në Belgjikë

Çdo vit, nga viti 2012, qeveria belge cakton, me dekret mbretëror, listën e vendeve të sigurta të origjinës. Në të gjitha vitet, Shqipëria ka qenë e përfshirë në këtë listë.

Por në tre vitet e fundit, dekreti mbretëror është kundërshtuar para Këshillit të Lartë të Shtetit—gjykata e lartë administrative e Belgjikës—nga tre shoqata belge, për shkak të përfshirjes në të të Shqipërisë, e cila sipas këtyre shoqatava nuk ofron mbrojtje dhe respektim të mjaftueshëm të të drejtave të qytetarëve të saj. Në të treja rastet Këshilli i Shtetit u ka dhënë të drejtë ankuesve dhe ka anulluar listën e vendeve të origjinës të vitit përkatës.

Edhe këtë vit, të tre shoqatat—Shoqata për të Drejtat e të Huajve, Kordinimi dhe Inisiativat për Refugjatët dhe të Huajt, dhe Liga e të Drejtave të Njeriut—e kundërshtuan listën e vendeve të origjinës të sigurtë për vitin 2015, ndër të tjera edhe për shkak të përfshirjes në të të Shqipërisë.

Kundërshtuesit sollën një sërë arsyesh para gjykatës, shumica në lidhje me kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë e vetë aktit të hartimit të një liste të tillë, si dhe të procedurave të vlerësimit të vendeve.

Në lidhje me përfshirjen e Shqipërisë në listë, kundërshtimi i shoqatave kishte të bënte me një fakt indirekt, i cili nuk ishte marrë parasysh nga zyrtarët që kishin bërë vlerësimin e kushteve të të drejtave të njeriut në Shqipëri: përqindja e miratimit të kërkesave të azilkërkusve shqiptarë nga autoritetet blege ka qenë vazhdimisht e lartë në vitet e fundit.

Me fjalë të tjera, shoqatat argumentuan se, përderisa autoritet belge të emigrimit i kanë dhënë azil një numri relativisht të lartë kërkuesish shqiptarë, kjo tregon se qeveria belge ka gjetur prova të shpeshta dhe bindëse që në Shqipeëri janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e qytetarëve.

Sipas shoqatave, ky fakt e bën të papranueshëm konsiderimin e Shqipërisë vend i sigurtë i origjinës, prandaj ato keërkuan heqjen e saj nga lista belge e vendeve të sigurta.

Shoqatat deklaruan para gjykatës se në vitin 2011 Belgjika pranoi kërkesat për azil të afërsisht 6,8 për qind të gjithë azilkërkuesve shqiptarë, në vitin 2012 pranoi 11,4 për qind, në vitin 2013 pranoi 13,7 për qind dhe në vitin 2014 janë pranoi 12,9 për qind.

Këshilli i Shtetit belg e ka gjetur të drejtë këtë argumentin e tre shoqatave dhe për këë arsye ka vendosur anullimin e vendimit të qeverisë belge, miratuar me dekret mbretëror, që e shpalli Shqipërinë vend të sigurtë origjine për vitin 2015.

Anullimi i dekretit do të thotë që edhe vendet e tjera në listë përfshi Kosovën, Bosnje Hercegovinën. Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë nuk konsiderohen më vende të sigurta origjine, të paktën për disa muaj deri në momentin e dekretit të vitit 2016.

Së fundmi, duhet theksuar se përqindja e lartë e rasteve të suksesshme të azilit nga shqiptarët në Belgjikë i përket si qeverisjes së PS-së edhe të PD-së, madje më shumë të PD-së.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>