Rreth 150 persona u arrestuan në Rusi për pjesmarrje në një takim të politikanëve të pavarur dhe të opozitës në Moskë, të shtunën, sipas Reuters.
Ata akuzohen për lidhje me një “organizatë të padëshirueshme”, raportoi nëj një grup monitorimi dhe një kanal televiziv rus.
Autoritetet qeveritare ruse kanë arrestuar më parë dhe kryetarin e opozitës Alexei Navalny, i cili u kthye në Rusi në janar pasi u shërua nga një helmim me agjent nervor në Siberi.
Forumi ishte një mbledhje e përfaqësuesve vendor nga i gjithë vendi, njoftoi për radio Echo Moskvy, Andrei Pivovarov, organizatori i aktivitetit dhe drejtori ekzekutiv i lëvizjes ‘Rusia e Hapur’, me bazë në Britani, e themeluar nga ish-biznesmeni i naftës në mërgim dhe kritiku i Kremlinit, Mikhail Khodorkovsky.
Sapo forumi filloi, policia hyri në ndërtesë dhe filloi të arrestonte të pranishmit dhe t’i fuste në furgonët e policisë që prisnin jashtë, sipas pamjeve të transmetuara nga televizioni rus ‘TV Rain’ dhe agjencitë e lajmeve ruse.
Vladimir Kara-Murza, nënkryetar i Nismës ‘Rusia e Lirë’, një organizatë jofitimprurëse me qendër në Uashington, ndau një foto nga brenda një furgoni policie, pasi u arrestua.
Policia tha se të gjithë pjesëmarrësit u arrestuan për “veprimtari në një organizate të padëshirueshme”, njoftoi TV Rain.
Rusia e Hapur është një prej 30 grupeve që Moska i ka etiketuar si të padëshirueshme dhe të ndaluara sipas një ligji të miratuar në 2015.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut u shprehën se ligjet mbi organizatat “e padëshirueshme” dhe “agjentët e huaj” mund të përdoren për të bërë presion dhe për të synuar anëtarët e shoqërisë civile.
Rusia e mohon atë dhe thotë se ligjet janë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare nga ndërhyrjet e jashtme.