Kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaroi sot se do të largohet nga drejtimi i Kuvendit nëse reforma në drejtësi nuk votohet me konsensus nga deputetët.
“S’mund të rri në krye të një parlamenti që voton me shantazhe, me presione ndaj deputetëve, me sms-ra, kur duhet të votojnë më bindje, me konsensus të plotë,” deklaroi Zoti Meta, në fjalën hapëse të seancës plenare.
Ai tha se kushtetuta e re e vendit nuk mund të miratohet në mënyrë të njëanshme dhe siguroi se 20 votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të jenë pro reformës.
Ende nuk dihet se kush draft do të diskutohet sot gjatë seancës në Kuvend. Deri dje në Kuvend ka qenë i depozitur varianti i fundit i miratuar nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në datën 14 qershor, i cili nuk përmban ndryshimet e propozuara nga Ndihmës Sekretarja amerikane Nuland dhe Komisioneri i BE-së Hahn.
Pas fjalës së tij, Zoti Meta u largua nga seanca për të vazhduar negociatat me kreun e opozitës Basha dhe me ambasadorët Lu e Vlahutin.
Aktualisht, seanca vazhdon me çështjet e tjera të rendit të ditës.