Kompania kineze Geo-Jade nuk do të mund të blejë kompaninë e nxjerrjes së naftës Bankers Petroleum përpara shtatorit 2016.
Bankers Pentroleum njoftoi se shkak për shtyrjen e afatit është bërë mosaprovimi nga qeveria kineze, që ka vendosur të shtyjë shqyrtimin e marrëveshjes mes dy kompanive për në shtator.
Lajmi se Bankers Petroleum do të shitej tek kompania kineze u bë i ditur fillimisht në mars 2016.
Sipas kontratës së marsit, Geo-Jade Petrolium Corporation, një ndër firmat më të mëdha private të nxjerrjes së naftës në Kinë, do të paguajë 575 milionë dollarë kanadezë (394 milionë euro) për aksionet e Bankers Petroleum.
Nëse marrëveshja nuk miratohet nga shteti kinez deri më 30 shtator, kompania kineze do t’i paguajë Bankers 20 milionë dollarë për ndërprerje të marrëveshjes.
Nëse marrëveshja do të miratohet, të dyja kompanitë kanë rënë dakort për ta shtyrë afatin e transaksioneve deri më 31 tetor 2016.
Bankers Petroleum, kompania më e madhe në vend, ka nënshkruar që prej vitit 2004 një koncesion me qeverinë shqiptare për shfrytëzimin e disa prej vend-burimeve kryesore të naftës në vend, përfshi zonën më të madhe naftë-mbajtëse të vendit, Patos-Marinzë.
Gjatë vitit 2015 kompania ka pasur disa konflikte me qeverinë, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk i njohu kompanisë 303 milionë dollarë shpenzime dhe e detyroi kompaninë të paguajë 57 milionë dollarë taksa shtesë.
Çështja arriti për shqyrtim deri në arbitrazhin ndërkombëtar, por më pas Bankers pranoi të tërheqë padinë ndaj shtetit shqiptar.
Artikuj të lidhur: