Kosova ka regjistruar katërmbëdhjetë viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit, 2 prej të cilëvë i përkasin grupmoshës 20-29 vjeç sipas të dhënave të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Me përhapjen e variantit Delta, e njëjta grupmoshë mbizotëron në statistikat e infektimeve të reja në Kosovë.
Nga testimi i 7 946 mostrave janë identifikuar 1 067 raste të reja të infektimeve, prej të cilave 267 raste janë të grumoshës 20-29 vjeç, 209 raste të grupmoshës 30-39 vjet dhe 191 raste të grupmoshës 40-49 vjeç.
Infektimet nuk kanë kursyer as fëmijët, ku për grupmoshën 10-19 vjet janë regjistruar 112 raste pozitive, ndërsa atë 0 deri 9 vjet, 16 raste.
Numri i infektimeve me COVID-19 në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme edhe këtë javë si pasojë e variantit Delta, gjë që ka bërë që vendi të rikthehet në listën e Gjermanisë së zonave me rrezik të lartë nga koronavirusi.
Sipas të dhënave, numri i rasteve aktive në vend është 20 467.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 278 qytetarë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 107 566 qytetarë qysh prej fillimit të pandemisë.
Sipas një raportimi nga Radio Evropa e Lirë, të premten në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme rajonale rezultojnë 929 pacientë të shtruar, prej të cilëve 723 të konfirmuar me Covid-19.
Prej të shtruarve, 35 janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 688 po trajtohet me oksigjeno-terapi.