Pse PD e konsideron antikushtetues ligjin për vetingun? – Exit shpjegon

Pse PD e konsideron antikushtetues ligjin për vetingun? – Exit shpjegon

Partia Demokratike ankimoi sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, njohur ndryshe si ligji i vetingut.

Ligji është një nga shtatë ligjit që plotësojnë paketën e reformës në drejtësi të filluar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016. Ligj u miratua nga Kuvendi në muajin gusht vetëm me votat e shumicës, ndërsa opozita braktisi votimin.

PD pretendon se ligji i miratuar bie ndesh me Kushtetutën sepse lejon ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, ndërkohë që përcaktimet kushtetuese kërkojnë që procesi i vlerësimit te kryhet nga institucionet e pavarura të krijuara për këtë qëllim.

Një nga institucionet, rolin e të cilit PD kundërshton është Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klualifikuar (DSIK).

Më poshtë paraqiten shkurtimisht roli që kjo drejtori do të luajë në vlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe arsyet pse PD e kundërshton këtë rol.

Roli i DSIK

Kontrolli i figurës është njëri prej tre aspekteve të rivlerësimit që parashikon reforma; vlerësimi i pasurisë dhe vlerësimi i aftësive profesionale janë dy aspektet e tjera.

Procesin e kontrolli të figurës e kemi shpjeguar në detaje këtu.

Ligji i vetingut përcakton se “Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjin e Apelimit (KA), do të bëjë kontrollin e figurës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës kushtetuese dhe Prokurorin e Përgjithshëm”.

Për këtë qëllim, DSIK do të ngrejë një grup pune me përfaqësues të Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimit Informativ Shtetëror ( SHISH) dhe Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Grupi i punës drejtuar nga DSIK do të bëjë:

  • Verifikimin e saktë të identitetit, gjeneraliteteve dhe statusit të shtetësisë, në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo anëtar të të Gjykatës së Lartë, Gjykatës kushtetuese dhe për Prokurorin e Përgjithshëm;
  • Kontrollin e rekordeve në nivel lokal e kombëtar, në funksion të aktivitetit dhe tendencave kriminale;
  • Vlerësimin e përgjithshëm nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura kriminale;
  • Kontrollin nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim, ose në përbërje të një organizate kriminale;
  • Verifikimi nëse rezulton i dënuar për një ose më shumë vepra penale, ka sjellje të keqe, tendenca kriminale e përfshirje në krimin e organizuar;

Pas procesit të verifikimit dhe kontrollit, DSIK duhet t’i paraqesë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) një raport mbi kontrollin e secilit individ. DSIK ka të drejtë të mos e bëjë publik informacionin nëse e shikon të arsyeshme se publikimi i tij rrezikon burimin e informacionit.

Përveç raportit, DSIK i paraqet KPK-së  dhe një konstatim në lidhje me përshtatshmërinë e tij për vazhdimin e detyrës.

Kundërshtimet e PD-së

Partia Demokratike kërkon që procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve të kryehet vetëm nga KPK dhe Kolegji i Apelimit, siç parashikohet në nenin 179/b, pika 5,  të Kushtetutës.

Ky nen parashikon se :”rivlerësimi kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ankimet e subjekteve të rivlerësimit ose të Komisionerit Publik shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.”

PD kundërshton rolin e DSIK në këtë proces duke qenë se ajo është nën varësinë Kryeministrit – Drejtori i DSIK emërohet direkt nga Kryeministri.

Të njëjtën ankesë, PD ka dhe për rolin në këtë proces të Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, institucion nën varësinë e Ministrit së Punëve të Brendshme.

Përfshirja në procesin e vetingut të institucionet shtetërore nën varësin e qeverisë rrezikon paanshmërinë e procesit.

Artikuj të lidhur:

Të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, shpjeguar — Exit Shpjegon

Verifikimi (vetingu) i gjykatësve dhe prokurorëve: varianti përfundimtar — Exit shpjegon

 

Lajme te ngjashme