Akuzat e paprecendent të PAMECA-s ndaj institucioneve të drejtësisë – Exit shpjegon

Akuzat e paprecendent të PAMECA-s ndaj institucioneve të drejtësisë – Exit shpjegon

Pak ditë më parë, në një akt të paprecedent, misioni PAMECA komentoi në nje raport të tij disa procese ende nën hetim dhe nën gjykim të prokurorisë dhe gjykatës.

Sipas Pameca-s, institucionet e drejtësisë kanë gabuar në caktimin e masave të sigurisë ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi apo ndaj Emiljano Shullazit.

Ky veprim haptazi influencon dhe bie ndesh me parimin e shtetit të së drejtës.

Romana Vlahutin, e cila është mbikëqyrëse direkte e projektit aktualisht ndodhet në Serbi me Kryeministrin Rama, dhe ende nuk ka komentuar për këtë ngjarje.

Ndërsa dje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arrestuar për gjobë vënie dhe kërcënim ndaj një biznesmeni shqiptarë dy bashkëpunëtorët e Emiljano Shullazit. Në njoftimin e prokurorisë thuhet se:

[N]ë bazë të veprimeve hetimore, rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qënë të pranishëm në disa momente kur shtetasi Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare. Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit.

Çfarë është PAMECA?

PAMECA është një projekt i financuar nga BE, i cili ofron asistencë teknike për zbatimin e ligjit dhe rendin publik. Asistenca ofrohet kryesisht për policinë e shtetit dhe prokurorinë. PAMECA është një projekt që ka nisur në vitin 2002 dhe është rinovuar në mnëyrë të vazhduesahme deri më sot. Aktualisht ai financohet nga fondet IPA që BE ka akorduar për Shqipërinë.

Ekspertët që punojnë në misionin e PAMECA-s janë ekspertë me pagesë që nuk kanë përfaqësime zyrtare, sikurse me çdo lloj asistence tjetër teknike. Kryesisht ata janë ish-oficerë policie ose prokurorë.

Aktualisht, misioni PAMECA zbatohet nga policia italiane. Drejtuesi i tij aktual është Giorgio Butini.

Fondi i akorduar nga BE për këtë project deri më tani është 20 milionë euro.

Cilët janë partnerët lokalë të projektit PAMECA?

Policia e Shtetit, Minsitria e Brendëshme, Ministria e Drejtësisë dhe zyrat e prokurorisë janë partnerët lokalë të projektit si dhe institucionet që përfitojnë asistencë teknike.

Ku mund të gjendet një kopje e raportit?

Së pari, duhet theksuar se raporti nuk është bërë publik. Është e paqartë si raporti përfundoi në media, por duke gjykuar nga informacioni pothuajse identik i përcjellë nga të gjitha mediat mund të gjykohet se ka qenë një burim i vetëm i rrjedhjes së informacionit.

A mund të komentojë PAMECA mbi vendimet e gjykatave?

Komentet janë më së paku të habitshme. Jo vetëm sepse PAMECA nuk ka për fushë të aktivitetit të saj dhe as për objektiv të punës së saj gjyqësorin, por nuk ka as edhe ekspertizën minimale për të vlerësuar aktivitetin e gjykatave.

Për më tepër, komentimi i vendimeve të gjykatave është një akt që mund të konsiderohet, pa asnjë dyshim, skandaloz dhe që bie ndesh me standartet më minimale të respektit ndaj ndarjes së pushteteve dhe shtetit ligjor.

Komentet e PAMECA-s janë sidomos të habitshme në lidhje me hetimet rreth pajisjes së përgjimeve MC Catcher. Pretendimi i tyre se prokurori nuk duhet të fillonte hetimin sepse nuk kishte prove është qesharak, pasi qëllimi i hetimit është pikërisht të mbledhë provat, ndërsa fillimi i hetimit ligjërisht mjafton edhe me një dyshim pa prova.

Vetë prania e një pajisje të tillë në Shqipëri pa lejen e prokurorisë është jo vetëm dyshim por edhe një fakt i majftueshëm për të nisur një hetim.

A duhen pranuar komentet e PAMECA-s?

Drejtuesit e PAMECA-s dhe të Delegacionit të BE-së duhet të mbajnë përgjegjësi për këto deklarata dhe të japin shpjegim mbi ç’bazë janë bërë komentet.

Delegacioni i BE-së duhet të kryejë hetim të brendshëm për këtë çësthtje, ndërsa porkuroria duhet të hetojë nëse raporti dhe rrjedhja e tij janë bërë për të ndikaur vendimet e prokurorisë dhe gjykatave.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>