Varfëria e papunësia lehtësojnë rekrutimin e shqiptarëve nga ISIS

Varfëria e papunësia lehtësojnë rekrutimin e shqiptarëve nga ISIS

Varfëria, papunësia dhe mungesa e perspektivës për të ardhmen e bën shumë të lehtë për predikuesit radikalë islamikë të joshin e të rekrutojnë djem të rinj shqiptarë për Shtetin Islamik dhe xhihadin në Siri. Disa prej tyre nuk kthehen më kurrë.

Kjo është historia e Dorian Kuqos, djalit nga Pogradeci që u vra në gusht të 2015-ës në Siri.

“Dorian kishte studiuar Anglisht në Universitetin e Tiranës. Ne morëm kredi për t’i mundësuar atij shkollimin. Pasi ai mbaroi masterin u kthye në fshat. Por nuk mundi të gjente një punë, as këtu as në zonat përreth,” tregon babai i Dorianit, Meleqi.

Familja e Dorianit jeton në fshatin Rremenj, në juglindje të Shqipërisë. Ato janë të varfër, si shumë familje të tjera aty. Në fshat ndodhen rreth 250 shtëpi, një xhami dhe në krah të saj një kishë.

Si shumë shqiptarë, Doriani kërkoi për punë sezonale në Greqi. Ai shpresonte të paguante kredinë e tij të studentit dhe të ndihmonte familjen. Por kriza financiare në Greqi e bëri të pamundur për Dorianin dhe shumë shqiptarë të tjerë gjetjen e punës. Doriani u detyrua të largohej nga vendi.

Në fillim të vitit 2014, ai i tha familjes se do të ikte në Austri, ku do të punonte për disa muaj. Ai nuk u kthye kurrë.

“Ai telefononte një herë në muaj. Na tha se kishte gjetur punë. Por kur ne i thamë se do të dëshironin ta vizitonim, na tregoi të vërtetën. Na tha se kishte shkruar drejt e në Siri, për tu bërë xhihadist dhe ishte martuar me një vajzë myslimane nga Kavaja. Ne e lutëm të kthej në shtëpi, por ai na tha se kishte dalë vullnetar,” – shprehet babai i Dorianit.

Më pas më 18 gusht  2015, familja mësoi lajmin e keq.

“Ishte ora 7:27 e pasdites kur një shok i tij nga një fshat fqinj, Gurras, na tha se Doriani u vra në luftë.” Trupi i tij nuk mund të kthehej.

Nga viti 2012 deri në 2014-ën, shumë djem të rinj u larguan nga Pogradeci dhe nga qytetet e tjera të lindjes së vendit për tu bashkuar me ISIS në Siri. Sipas të dhënave zyrtare, 114 njerëz iu bashkuan “IS” gjatë kësaj kohe. 40 prej tyre janë kthyer dhe 20 janë vrarë.

Roland Hoxha, dentist dhe praktikant i fesë myslimanee, tregon se njeh disa të rinj që kanë ikur për të luftuar në Siri. “Pjesa më e madhe e tyre kanë mbaruar vetëm arsimin 8-vjeçar, disa edhe shkollën e mesme, shumë pak kanë ndjekur universitetin. Pothuaj të gjithë vijnë nga familje të varfra dhe janë pre e lehtë për ata që i premtojnë para e prosperitet,” thotë Rolandi.

Përveç mungesës së punës apo të ardhurave, rekrutimi është ndihmuar dhe nga fakti se shumë xhami në qytete e fshatra nuk janë nën kontrollin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

“Imamët në ato xhami predikojnë një version të dhunshëm e ekstremist të fesë dhe janë përpjekur në mënyrë aktive për të rektuar të rinj të papunë”, vazhdon më tej Rolandi.

Ndërsa Myftiu i Tiranës dhe kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së Ylli Gurra deklaron se në dy vitet e fundit asnjë shqiptar nuk i është bashkuar ISIS.

“Të gjithë imamët janë verifikuar dhe xhamitë tashmë kanë një bord ekzekutiv që rregullisht raporton përmbajtjen e predikimeve në qendrën e Shoqatës Myslimane”, shprehet ai.

Ylli Gurra beson se ekstremizmi fetar nuk ka të ardhme në Shqipëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>