Ilir Meta, kreu i Kuvendit dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, zhvilloi dje një takim me aktivistë e përfaqësues të AKIP-it për ligjin e importit të mbetjeve.
Pas përfundimit të takimit, media të ndryshme shkruan se Zoti Meta dhe deputetët e tjerë të LSI-së nuk do ta votojnë ligjin e mbetjeve.
“Burime të sigurta nga LSI-a i kanë pohuar Lapsi.al se kjo parti nuk e kalon projektin e Ramës…” shkruan Lapsi.al.
Botuesi i portalit 360gradë, Artur Zheji, i pranishëm në takim, shkruan: “Meta tha se: Pa një konsensus me shoqërinë civile dhe opinionin publik, ai nuk do të votonte “Pro”, Ligjit të Plehrave për një herë të dytë.”
Por, njoftimi zyrtar i publikuar në faqen e Kuvendit nuk pasqyron asgjë nga fjalët që pjesëmarrësit dhe mediat e ndryshme shkruan. Sipas njoftimit, Zoti Meta është përpjekur të bëjë “tolerantin” duke barazuar interesin e qytetarëve me interesat e biznesit të riciklimit.
“…ai [Ilir Meta] do të dëshironte që miratimi i një ligji të tillë të mund të shteronte të gjitha mundësitë e dialogut, mirëkuptimit dhe konsensusit me shoqërinë civile, përfaqësuesit e industrisë ricikluese dhe opinionin publik, me qëllim që ligji t’i shërbejë interesit të qytetarëve, imazhit të Shqipërisë, rritjes ekonomike të vendit, zhvillimit të turizmit, bujqësisë dhe të rrisë punësimin e të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e jetës së qytetarëve.”
Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim është partia e vetme që ka votuar dy herë pro ligjit të mbetjeve.
Në vitin 2011, LSI, pjesë e koalicionit koalicion qeverisës me PD, nuk bëri asnjë deklaratë lidhur me ligjin. Qëndrimi i saj u shpreh vetëm me votën pro në kuvend.
Në 2016, pesë vjet më vonë, LSI tashmë pjesë e koalicionit qeverisës me PS, votoi sërish pro ligjit të mbetjeve. I vetmi ndryshim ishte paraqitja e një amendamenti për ligjin, i cili përfshinte shoqërinë civile në procesin e zhdoganimit të mbetjeve.
Ligji u miratua me 63 vota të shumicës, ndër to 15 vota të deputetëve të LSI-së.
Ky ligj shqyrtohet për të dytën herë në Kuvend brenda pak javësh, pasi Presidentit Nishani vendosi mos dekretimin e ligjit.