E ardhmja e afërt e Shqipërisë dhe shqiptarëve

Nga Arben Xhialli
E ardhmja e afërt e Shqipërisë dhe shqiptarëve

Ata që flasin, nuk po kuptojnë asgjë, ata që kuptojnë, po heshtin! Pse?!

Ngjarje të mëdha dhe me rëndësi historike për të ardhmen po pasojnë njëra -tjetrën me një shpejtësi të pazakontë në territorin e Europës, ngjarje që ndoshta po skicojnë konturet e shekullit që sapo kemi filluar.

Në mediat botërore, shumë më pak edhe në mediat tona po fiton hapësirë mendimi se këto ngjarje po vendosin botën përballë zgjedhjes së detyruar midis dy alternativave, ose kthim mbrapa në botën “Shumëpolare” ose një “Luftë e Tretë Botërore”. Të dyja alternativat mbartin në vetvete pontencial të brendëm të aftë për të trazuar me shpejtësi, perceptime politike që deri tani janë konsideruar të qëndrueshme dhe afatgjata.

Për “analistët e gjithëditur” të botës shqiptare, termi “Lufta e Tretë Botërore” edhe kur përmendet konsiderohet thjesht si një shqetësim absurd, i kotë ose propagandë antiglobaliste. Ndërsa për analistët perëndimorë që ndjekin zhvillimet e rëndësishme në botë dhe rajon, njohës të gjeopolitikës, kjo luftë ose pritet të fillojë ose tashmë ka filluar, me synimin e qartë të sigurimit të dominimeve rajonale për shtete me pretendime të tilla.

Bashkimi Europian, edhe përkundër krizës komplekse në të cilën ka rënë, krizë e shkaktuar nga ndikimin i faktorëve globalë jashtë europianë, po vazhdon përpjekjet e kahershme për t’u shndërruar në një supershtet. E vetmja rrugë që i ka mbetur për të rezistuar dhe prosperuar, në vorbullën me efekte rrafshuese që po sjell globalizmi.

Rusia e Putinit po i shpreh qartë, politikisht dhe ushtarakisht, synimet e saj për t’u bërë një lider rajonal, për hapësirat e ish BRSS, por ndoshta edhe më gjerë si kundërvënie e hapur ndaj globalizmit.

Turqia e Erdoganit, me një ritëm të prekshëm agresiv të politikës së saj të brendshme dhe të jashtme, po tregon qartazei se synon një rol lideri për hapësirat e ish Perandorisë Otomane.

Të ndodhura përballë një fuqie glabale si SHBA-të, këto synime duket se po i afrojnë objektivisht interesat e Rusisë dhe Turqisë si dy fuqi rajonale, interesa që në çdo rast bien ndesh me interesat e shprehura qartë të Bashkimit Europian, por edhe të SHBA-ve si mbështetëse të kushtëzuara të këtij bashkimi.

Procesi i rajonizimit po ndodh me shpejtësi gjithandej nëpër botë dhe mesa duket përfundimi i këtij procesi do të shënojë njëkohësisht edhe fillimin e procesit të globalizmit politik.

Ky rajonizim politik që po synohet aktualisht, po shkon kundër interesave të SHBA-ve, mbasi këto të fundit nëpërmjet tregut ekonomik dhe fuqisë së tyre ushtarake, mbrojnë vetëm procesin e globalizimit ekonomik. Proces që ato vetë e kanë nisur dhe po e udhëheqin prej kohësh, i cili aktualisht po i kënaq më së miri interesat e tyre ekonomike dhe politike prej një lideri të vetëm global.

Jemi pra para një përplasje të mundshme të madhe, e cila vështirë se do të kalohet me mjete paqësore. Mjete që do të mund të funksiononin vetëm nëse palët do të binin dakord që të bëjnë lëshime e kompromise të mëdha. Ngjarjet që po ndodhin, dëshmojnë se nuk po shkohet drejt kompromisit por përkundrazi, atmosfera konfliktuale po bëhet gjithnjë e më mbizotëruese në marrëdhëniet midis këtyre fuqive aktive në arenën ndërkombëtare.

Situata shqetësuese që na rrethon nuk ka se si të mos na vendosë para pyetjes që kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të menduar mirë.

Si do të reagojë Shqipëria dhe shqiptarët që ndodhen të përfshirë pashmangmërisht në vorbullën e këtyre zhvillimeve?!

Shqipëria dhe shqiptarët, nuk janë një faktor në këtë betejë ku përplasen “Bajlozët”, por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë aspak se shqiptarët dhe interesat e tyre në këtë rajon nuk do të përballen me pasojat negative që do të rrjedhin nga këto përplasje.

Në këto kushte, e vetmja mundësi reale që na mbetet për ta konsideruar në funksion të minimizimit të këtyre pasojave është vetëm balancimi i qëndrimeve tona, duke u bazuar detyrimisht në realitetet objektive rajonale.

Historia e dy shekujve të fundit na dëshmon shumë qartë për përmasat që mund të marrin pasojat negative në kurriz të interesave të shqiptarëve në momentet kur rikonsiderohen interesat që mbështesin në Ballkan fuqitë e përmendura.

Fillimisht ishte Perandoria Osmane ajo që braktisi interesat e shqiptarëve dhe i përdori ato si monedhë shkëmbimi për të kënaqur kërkesat e Fuqive të Mëdha dhe aleatëve të tyre të vegjël. Megjithëse shqiptarët kishin hipotekuar kontribute shumë të rëndësishme në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e Perandorisë së atëhershme Osmane.

Fundi i Luftës së Parë Botërore dhe nënshkrimi i Traktatit të Versajës si shprehje e interesave të fuqive fituese, hapi për ne plagë që nuk janë mbyllur edhe mbas 100 vjetësh dhe që nuk mund të mbyllen asnjëherë pa u trajtuar ndryshe.

Zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore, që në kapërcyellin e tyre çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Jaltës, e vendosën Shqipërinë dhe pjesën dërrmuese të shqiptarëve brenda kufijve politikë dhe ideologjikë të botës komuniste. Shembja e së cilës shënoi mbas pothuaj gjysëm shekulli një mundësi të re për të rikonsideruar në kushte globale dhe më demokratike të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Historikisht kemi qenë në kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit. Aspak të kënaqur me pasojat që kanë buruar objektivisht nga ky pozicion gjeografik.

Kjo histori por edhe rrethanat e krijuara rishtazi na e bëjnë gjithnjë e më të qartë se e ardhmja jonë do të jetë e sigurtë dhe më e mirë vetëm nëse ne do të bëhemi pjesë e Europës së bashkuar dhe demokratike.

Kjo ide përveçse si një projekt bazë për paqen në kontinent, qëndron edhe në tejkalimin e diferencave që lidhen me interesat dhe qëllimet e veçanta të shteteve anëtare. Europa e bashkuar funksionon me rregulla qartazi të përcaktuara për ruajtjen e  identitetit dhe veçorive nacionale të vendeve anëtare.

Megjithëse, politikanë europianë dhe ato të rajonit sot artikulojnë mendime  kontradiktoret mbi të ardhmen e BE, mbi sigurinë dhe mbi zgjerimin e këtij bashkimi, për Shqipërinë dhe interesat e shqiptarëve nuk ka dhe as nuk ka për të patur një alternativë tjetër më të mirë se Europa e Bashkuar.

Gjithshka thuhet për këtë strukturë që po merr ngjyrimet politike sa vjen dhe më të theksuara të një supershteti duhet parë si një shprehje e drejtpërdrejtë e interesit për ta konsoliduar në çdo aspekt të ardhmen e këtij rajoni ku historikisht kryqëzohen interesa që duhen marrë në konsideratë.

Ndodhemi pra në vorbullën e një procesi që ndërlidh problem komplekse dhe me rëndësi të madhe globale dhe rajonale dhe na duhet të qartësohemi për vendin që do të zemë si komb në këtë strukturë të re që përfundimisht do të sanksionohet mbas vendosjes së ekuilibrave të reja.

Parë në këtë aspekt, ne e kemi akute nevojën për të zhvilluar një strategji të mirfilltë dhe të përpunuar, e cila do të na mundësonte zgjedhjen më të mirë të mundshme, zgjedhje që patjetër duhet të garantojë minimizimin e pasojave negative që do të rezultojnë nga avancimi i përplasjeve aktuale.

Ne nuk mund të mjaftohemi më vetëm me deklarata të stërpërsëritura të mbushura me servilizëm politik, në aleanca të paqarta për integrimin e vendit.

Në kushtet kur nuk mund të jemi ende të qartë nëse Bashkimi Europian do të mund të qëndrojë në formatin aktual.Duk ekonsideruar edhe ngjarjet e fundit në Britani, ndoshta Gjermania dhe Franca do të orientohen drejt krijimit të një supershteti me politikë dhe institucione të përbashkëta.

Kemi arritur tashmë të jemi anëtarë të NATO-s dhe të lëvizim të lirë në Europë. Këto arritje, duhet të na shtyjë të mendojmë e punojmë seriozisht dhe me përkushtim për ti bërë të pakthyeshme.

Po bëhet evidente se situata aktuale në Europë mbart një kërcënim real për këto arritje. Qytetarët europianë po ndihen të pasigurtë dhe të kërcënuar nga lëvizja e lirë.  Ata po e dëshmojnë me fakte gatishmërinë për të sakrifikuar një pjesë të lirisë në emër të sigurisë së tyre.

Referendumi në Britani, veç të tjerash, tregoi se anglezët në thelb nuk votuan kundër BE, në të vërtetë ata votuan kundër emigrantëve që e kanë mësyrë si kurë më parë BE-në.

Nuk mund të themi që një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk janë shqiptarë, as që po punojmë për të krijuar atmosferë ekonomike e cila i demotivon nevojën e shqiptarëve për të emigruar.

Nuk mund të mund të themi që një pjese të emigracionit tonë në BE po i faturohen përqindje të konsiderushme nga trafiqet kriminale që burojnë nga Shqipëria dhe shtrihen në të gjitha vendet e BE-së.

Është koha për ta treguar me veprime konkrete të perceptueshme lehtësisht edhe për qytetarin e thjeshtë europian se ne jemi serioz në synimin për tu bërë pjesë e BE. Seriozitet që duhet të bëhet i prekshëm nga qytetarët europianë piksëpari nëpërmjet promovimit të vlerave tona europiane.

Na duhet të tregojmë se jemi në gjendje të arrijmë të ndërtojmë një shtet funksional, se mund të fillojmë të punojmë në mënyrë efektive dhe se mund të arsimojmë qytetarët tanë ashtu siç arsimohen qytetarët europianë.

Është e vetmja mundësi që kemi për të treguar se ne kemi vendosur realisht ti bashkohemi Europës.

Në të kundërt!

Lindjen, e kemi më afër, e shohim dhe e njohim shumë mirë!

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>