Ministri i Brendshëm Tahiri njoftoi dje nismën e re të ministrisë “Mos gjuaj, por duaj” dhe i kërkoi qytetarëve të dorëzonin armët e paligjshme në polici. Ai kritikoi artistët që me foto apo videoklipe promovojnë përdorimin e armëve dhe i kërkoi atyre t’i bashkohen nismës së ministrisë.
Sot, duke shpërndarë ndihma për banorët e përmbytur në zonën e Kombinatit, Zoti Tahiri deklaroi se “dorëzimi vullnetar [i armëve pa leje] nuk përbën vepër penale.”
Në fakt, Kodi Penal e cilëson armëmbajtjen pa lejë vepër penale. Në nenin 278 shkruhet se “Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.” dhe “Mbajtja e armëve, i bombave apo minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”
Qeveria duhet të marrë një nismë ligjore për të caktuar afate kohore gjatë të cilave dorëzimi vullnetar i armëve nuk do të përbëjë vepër penale.
Një gjë e tillë ka ndodhur më parë në vitin 2005. Qeveria Nano nxiti qytetarët të dorëzonin armët pa leje duke shfuqizuar nenin 278 për armëmbajtjen pa leje.
“Pavarësisht nga neni 278, përjashtohen nga ndjekja penale për armëmbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake personat që në përputhje me legjislacionin në fuqi, dorëzojnë vullnetarisht armët deri më datën 31.5.2005,” shkruan neni 334/1 i Kodit Penal.
Deri sa kjo nismë të ndërmerret dhe miratohet, armëmbajtja konsiderohet vepër penale dhe çdo qytetar që i përgjigjet thirrjes së ministrit Tahiri mund të dënohet me burg.