Zgjedhjet në Maqedoni dhe rënia e “udhëheqësit të madh” të Ballkanit

Nga Karl Kuçi
Zgjedhjet në Maqedoni dhe rënia e “udhëheqësit të madh” të Ballkanit

Pas zgjedhjeve në Maqedoni, katër partitë shqiptare tashmë kanë 20 nga 120 vende deputetësh. Në legjislaturën e mëparshme kishin 27 vende.

Partia e re “Besa”—parti e frymëzuar nga islamizmi, dhe mesa duket e mbështetur nga Erdogani—ka fituar 5 për qind të votave dhe 5 deputetë. Partia e Ali Ahmetit, BDI, në koalicion me partinë e Nikola Gruevskit, ka pësuar rënie, duke fituar 7,3 për qind të votave dhe 10 deputetë. Partia e Menduh Thaçit, PDSH, zbriti në 2,6 për qind të votave, me vetëm 2 deputetë. Partia Aleanca për Shqiptarët ka fituar tre për qind të votave dhe tre deputetë.

Përçarja e dukshme e kuadrit politik shqiptar dhe prurja e re turko-islamike e saj, përfaqësuar nga Partia Besa, tregojnë se pavarësisht deklaratave dhe pretendimeve të qeverisë shqiptare për një rol kyç në politikën rajonale, ajo nuk diti ose nuk pati dëshirën të bindë udhëheqësit shqiptarë për të bashkuar faktorin shqiptar me qëllim ruajtjen e përfaqësimit dhe ndikimin shqiptar në politikën e Maqedonisë.

Roli i Shqipërisë do të kishte qenë vendimtar, për shembull, në diskutimin e gjatë për pranimin e Maqedonisë në NATO, apo për të njohur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.

Sërish, Rama mungoi në çështjet thelbësore të politikës së jashtme të Shqipërisë, në rolin kushtetues që dhet të luajë ai për të drejtat dhe mirëqenien e kombit shqiptar. Përkundër këtij detyrimi ai zgjodhi të merret me “ngjarje” të sajuara, të cilat kanë audiencë të madhe dhe i mundësojnë atij të reklamojë profilin e tij ndërkombëtar, si “udhëheqës i madh i Ballkanit”—të tilla si “pajtimi” i madh shqiptaro-serb, edhe pse Serbia ka bllokuar dhe sabpton përparimin e Kosovës, apo debatet e kota me Kosovën dhe më pas me Greqinë.

Ana ironike e kësaj historie është se koalicioni humbës në Maqedoni, i kryesuar nga socialisti filoserb Zoran Zaev, është në fakt një projekt i Sorosit, dhe në këtë rast Rama nuk diti të bëhet i nevojshëm as për formacionin e tij ndërkombëtar sorosian.

Rezultati i pragmatizmit personal të Ramës në dëm të interesave kombëtare është rritja e rolit të Turqisë në Ballkan dhe madje e Rusisë së Putinit. Tashmë, shqiptarët në vend që të shihen si faktor stabiliteti në Evropë, shikohen si vota islamiste të mbrojtura nga Ankaraja.

Sot, pas zgjedhjeve në Maqedoni, “udhëheqësi i madh i Ballkanik” është më i vogël se kurrë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>