22 marsi si reflektim e jo kremtim

Nga Neritan Sejamini
22 marsi si reflektim e jo kremtim

22 marsi 1992 në historinë tonë ështe një ditë e mirë dhe e keqe.

Eshtë një ditë e mirë—madje e madhe—sepse atë ditë shumica e shqiptarëve vendosën të ndaheshin me komunizmin dhe diktaturën e të përqafonin lirinë, demokracinë dhe kapitalizmin.

Ishte një ditë e keqe sepse ata që erdhën në pushtet kishin tjetër qëllim nga populli—pushtetin e tyre—ndaj zbatuan një projekt të ri autokratik, që dogji shumë prej mundësive që solli koha dhe liria e sapogjetur, dhe e futi shoqërinë tonë në një rrugë vetëshkatërruese, në të cilën përpëlitet edhe sot, të paktën ajo pjesë e saj që nuk e ka braktisur ende vendin.

Qeverisja e dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1992 arriti, padyshim, disa suksese të rëndësishme dhe jetësore me reformat e para të liberalizimit tregtar dhe ekonomik të vendit, sikurse me hapjen politike të Shqipërisë ndaj botës.

Por përtej tyre, ajo qeverisje solli pasoja të rënda për tranzicionin tonë drejt ekonomisë së tregut e demokracisë dhe përparimin e vendit.

Braktisja e çdo përpjekje dekomunistizuese të shoqërisë dhe të lustracionit politik; braktisja e problemit të të persekutuarve politikë; krijimi i një modeli të partisë autokratike dhë të korruptuar, që pastaj u përqafua nga të gjitha partitë e tjera; persekutimi dhe lufta ndaj kundërshtarëve politike, si një formë e re e luftës së klasave; përdorimi i kriminelëve dhe shërbimeve sekrete për qëllime politike; manipulimi dhe vjedhja e zgjedhjeve janë disa nga dëmet më të rënda politike që kemi trashguar që atëhere.

Mos zgjidhja e problemit të pronës, veçanërisht mos shfuqizimi i ligjit famëkeq 7501; lejimi i zaptimit të pronës publike dhe pronës private, veçanërisht në bregdet; lejimi i trafiqeve në masë dhe kontrabandës, madje përfshirja e shtetit në to; lejimi i aktiviteteve informale ekonomike, veçanërisht e sistemit të fajdeve; shkatërrimi i bregdetit përmes modelit të fshatrave turistike; janë disa nga politikat kryesore ekonomike pasojat e të cilave ndihen fort edhe sot.

Mbi të gjitha, qeverisja që doli nga zgjedhjet e 22 marsit 1992 themeloi modelin autokratik të qeverisjes postkomuniste që trashëgojmë edhe sot dhe minoi çdo përpjekje të qënësishme për krijimin e një shteti të së drejtës dhe institucioneve demokratike në kërkim të së cilëve jemi ende duke u stërmunduar edhe sot.

Për këto arsye, 22 marsi nuk duhet të jetë ditë për të festuar, por ditë për të reflektuar. Ditë kur ne duhet të kujtojmë gabimet e së shkuarës dhe mësimet prej tyre. Mungesa e reflektimit dhe e kujtesës historike është një nga arsyet pse historia përsëritet në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri dhe pak shkohet përpara.

22 marsi duhet të jetë dita kur duhet të rikujtojmë se sa shpejt mund të humbet liria, nëse ajo nuk mbrohet çdo ditë.

Dita kur duhet të rikuptojmë se ndarja nga e shkuara nuk bëhet thjesht duke ndërruar emrin e udhëheqësit.

Dita kur duhet të reflektojmë për pasojat dramatike që sjell përqëndrimi i pushtetit, pavarësisht se në duart e kujt apo në emër të kujtdo ideologjie apo preteksti.

Dita për të reflektuar për fatin e keq që i pret shoqëritë që u binden dhe ndjekin në mënyrë të verbër udhëheqësit e tyre.

22 marsi duhet të jetë dita kur duhet të kuptojmë që frika, indiferenca, apatia janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë dhe të ardhmes së një populli.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>