“30 mijë për ministrin” — shpagimi i Dritan Zaganit

Nga Carloalberto Rossi
“30 mijë për ministrin” — shpagimi i Dritan Zaganit

Tani, Kryeministri thotë me tone të thyera se do të dijë të vërtetën, të gjithë të vërtetën, por të gjithë e dimë që ai të vërtetën mbi këtë histori e ka manipuluar vetë shumë herë, dhe ndoshta po kërkon ta manipulojë edhe nëj herë tjetër, për të groposur dhe për të lënë pas krahëve ministrin e tij besnik, sot më shumë se kurrë i papërshtatshëm për të.

Një ministër që dukej kaq shumë i afërt dhe kaq shumë besnik, kur Rama organizoi ballazi një spektakël të tmerrshëm, përpara qindra policëve dhe dy ambasadorëve (atij italian dhe atij amerikan), për të akuzuar Dritan Zaganin se është një tradhëtar, pra që i ka kaluar infromacion armikut. Dhe armiku ishte i përfaqësuar nga një kolonel i Guardia di Finanza, sipas Ramës “edhe ai i përfshirë në narkotrafik”.

Mes duartrokitjesh të komanduara nga salla, dhe heshtjes e mungesës së reagimeve zyrtare të ambasadorit italian—i cili, ndoshta për arsye shtetërore, e lejoi Ramën të linçonte publikisht një zyrtar të lartë të policisë financiare italiane dhe me të njërit prej të paktëve kolegë shqiptarë që kishte ndihmuar në aksionet e saj të rrezikshme—Rama duhet të ketë menduar se ia ka dalë të manipulojë të vërtetën, dhe se ia hodhi të gjithëve, dhe ndoshta aty ka gjetur edhe kurajon t’u rezistojë me kokëfortësi kërkesave të vazhdueshëm të ambasadave të ndryshme për të shkarkuar Saimir Tahirin.

Me sigurinë arrogante të atij që ia ka hedhur, Rama shkoi menjëherë të përsëriste spektaklin, dhe shpifjet, në emisionin më të shikuar në vend. Nga aty, historia u mbyll—një e vërtetë e re zyrtare ishte vendosur, dhe të gjithë duhet ta besonin: të këqinjtë ishin Zagani dhe Koloneli, të mirët ishin Tahiri dhe kushurinjtë e tij sipërmarrës, të cilëve me mirësi u kishte dhënë hua makinën.

E vërteta, e plagosur deri në vdekje, ishte në agoni pas perdeve, ndërsa dritat ndriçonin figurën e shtetarit mik të të pushtetshmëve botërore, që përgatitej për të drejtuar ushtrinë e tij qeverisëse drej një kryqëzate të re dhe të lavdishme të Reformës në Drejtësi. Një temë padyshim e përshtatshme për personazhet e kësaj historie.

Pas kuintave, në agoni së bashku me të vërtetën, dy burra, të pasur vetëm me parimet e tyre, kërkonin t’i mbijetonin përbuzjes dhe fyerjes.

Kush e njeh Zaganin e përshkruan si një ngordhalaq, të sjellshëm, të përmbajtur dhe asnjëherë arrogant, me një vështrim të qartë, i veshur me rroba të lira, dhe me një banesë me qera në kufirin e varfërisë ku rriste fëmijët e tij. Një tip i ndryshëm nga truprojat e zakonshme të palestruara që kur janë të veshur me uniformë nuk arrin të kuptosh nëse janë policë apo banditë. Dhe kush e njeh Kolonelin, një figurë gati mitike në mjedisin e tij, e përshkruan atë identik si Zagani, të gjatë, të dobët, të sjellshëm, të mendueshëm, me siguri më i fisshëm në veshje, por me të njëjtin vështrim të qartë.

Dy shërbëtorë, secili ndaj shtetit të tij, pas një karriere të gjatë dhe të rrezikshme, të akuzuar si të pandershëm dhe të mbuluar në turp dhe dyshime. Dhe nga stemat zyrtare të dy qeverive.

Por e vërteta, edhe pse e plagosur, nuk i dorëzohet lehtë vdekjes, edhe pse në Shqipëri tashmë i jemi dorëzuar manipulimeve të historisë. Në Itali, të paktën, ndokush ende e mbron nderin e trupës së cilës i përket— dhe vazhdoi të marrë dhe regjistrojë prova të reja. Dhe një ditë të bukur, më 12 tetor, ditën pas vizitës së parë zyrtare të Kryeministrit Rama në Itali, me një vendim prej 416 faqesh, gjyqtari i hetimeve paraprake i Gjykatës së Katanias, Loredana Pezzino, lëshon urdhër arrestin për “sipërmarrësin” kushuri të Tahirit dhe të shumë ushtarëve të tij, për krime të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës.

Për ta përmbledhur, grupi i shqiptarëve furnizonte me armë dhe drogë familjet mafioze të Katanias dhe të gjthë Siçilisë lindore.

Këtë gjë e bënte pikërisht kushuriri i atij ministri të brendshëm shqiptar që kishte dërguar në arrati Zaganin dhe Kolonelin, sepse me punën e tyre hetimore po vendosnin në rrezik trafiqet fitimprurëse të kushuririt.

Në faqet e shumta të transkripteve të përgjimeve nuk mund të mungonte shprehja fatale e trafikantit shqiptar që thotë se “këto 30 mijë janë për ministrin”, apo ajo ku thotë se “ministri fiton 5 milionë euro në muaj, por për fushatën zgjedhore i nevojiten 20”.

Sot, shqiptarët bëjnë si të skandalizuar, por gati të gjithë dinin çdo gjë—në sytë e tyre çdo gjë ishte fare e qartë, vetëm se mediat dhe ambasadat donin të shihnin një tjetër film.

Por nëse në shkollën e kinemasë amerikane në fund fiton gjithmonë i miri, në shkollën e mesdheut kjo nuk ndodh pothuajse asnjëherë, por të paktën, në fund, herët a vonë, e vërteta del në sipërfaqe. Dhe të këqijtë ndonjëherë shkojnë edhe në burg.

Nga Zvicra, aty ku ka kërkuar dhe ka fituar azil politik, Dritan Zagani lëshon shenja kënaqësie në Facebook, ndërsa Koloneli në ndonjë anë të botës mund të flejë më në fund i qetë.

Ndërsa, shqiptarët po pyesin përse të akuzuarit janë ende në vila luksoze në Tiranë, ndërsa Zagani u detyrua padrejtësisht në azil, si shumë bashkëqytetarë të tjerë të detyruar të marrin rrugët e azilit politik nga një organizatë kriminale gjigande që kushtëzon vendin e tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>