
Ashtu siç e përcakton kodi zgjedhor, votimet për zgjedhjet e 30 qershorit u mbyllën pa u shtyrë përtej orës 19:00. Ato u karakterizuan nga një pjesëmarrje e ulët e qytetarëve, pjesëmarrje e cila sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte 21.6%, e cila e përkthyer në numër zgjedhësish ishte 771 863 votues.
Krahasuar me votimet lokale të vitit 2015, ku pjesmarrja qe 47,83%, votuesit e 2019-ës qenë rreth dy herë më të paktë në numër.
Shifra prej më shumë se 771 mijë votuesish, është pak më e lartë se numri i atyre që votuan Partinë Socialiste në vitin 2017 (rreth 765 mijë). Por duhet thënë se shifrat janë dhënë nga komisionet e njëanëshme zgjedhore, duke qenë se në procesin e 30 qershorit opozita nuk mori pjesë. Në fakt opozita përgjatë gjithë ditës ka patur pretendime se shifrat e komunikuara nga KQZ-ja kanë qenë të manipuluara. Partia Demokratike deklaroi në mbrëmje se sipas saj në votime kishin dalë 534,528 votues dhe pjesëmarrja kishte qenë 15.12%.
Përtej këtij kontestimi duhet thënë se procesi i votimit përfundoi pa incidente.
Përveç dy rasteve në Durrës dhe Kamëz, të cilat rezultuan me arrestimin në flagrancë nga policia të dhunuesve të materialeve zgjedhore. Përveç këtyre rasteve procesi i votimit ishte i qetë.
Protestat e zhvilluara në disa qendra votimi u zhvilluan paqësisht, pa cënuar të drejtën e votimit të qytetarëve.
Edhe pse protestat ishin të qeta, drejtuesja e misionit të OSBE Audrey Glover anuloi vizitën në kzaz nr. 35 tek shkolla Vasil Shanto. Ajo e justifikoi anulimin për shkak të “kushteve të papërshtatshme për monitorim”.
Ndërkohë në Postribë të Shkodrës, 7 qendra votimi, nga 15 në total, nuk janë hapur duke i mohuar kështu të drejtën e votës qytetarëve atje. Për rastin, anëtari i KQZ Bledar Skënderi deklaroi se votimi nuk ka arsye të përsëritet, sa kohë nuk do sillte ndryshim në rezultat, kjo pasi në Shkodër ka patur vetëm një kandidat.
Orari zyrtar i mbylljes së votimeve nuk është shtyrë, ndryshe nga rastet e tjera në zgjedhjet që janë zhvilluar në Shqipëri, pasi asnjë nga partitë pjesmarrëse nuk e kërkoi një gjë të tillë.