Rreth 6 muaj më parë, shkruajta një ese të titulluar “Shqipëria është e ardhmja e Evropës”. Shkrimi përqendrohej kryesisht në konceptimin e gabuar të përfaqësuesve të qeverive të huaja dhe institucioneve ndërkombëtare se ata mund të ndikojnë në mënyrë vendimtare Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt “demokracisë”, duke përdorur kuadrin ligjor dhe politikat e BE-së.
Duke huazuar argumentin e sociologut dhe ekonomistit Wolfang Streeck, unë mbështesja tezën e kundërt se modeli ekonomik dhe qeverisës i Shqipërisë shërben si një shembull i të ardhmes së BE-së.
Nuk e mohoj se ndjeva një farë kënaqësie kur pashë një ngjashmëri të tillë në raportimet e mediave europiane për skandalin e korrupsionit të përhapur në misionin EULEX në Kosovë—misioni më i madh dhe më i BE-së, me detyrën për të vendosur shtetin ligjor dhe një sistem drejtësie që funksionon.
Në një zhvillim të fundit, shefi i gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons dha dorëheqjen, duke bërë një mori akuzash publike për korrupsion dhe keqadministrim në EULEX dhe duke deklaruar, sikurse raportohet nga Politico.eu, se “kjo është vetëm maja e ajsbergut”. Në të njëjtin raport, kryeredaktori i të përditshmes kosovare Koha Ditore, la thënë fjalët lapidar: “Në vend që të evropianizonim Kosovën, ne ballkanizuam EULEX-in”.
Dëshiroj të ngre dy pika që lidhen qartësinë dhe saktësinë e deklarimeve: 1. diskutimi zyrtar i BE-së rreth këtyre skandaleve (dhe të tjetrave); 2. politikat aktuale brenda BE-së.
Përvec pasojave që këto zbulime të reja kanë për shkak të rolit të rëndësishëm që ish-zyrtarë të lartë të EULEX-it kanë sot në montorimin e reformës në drejtësi në Shqipëri (të hartuar nga BE), deklaratat e Simmons nxjerrin në pah edhe një herë reagimin instiktiv të BE-së për t’u fshehur pas lumenj fjalësh të pakuptimta, që dalëngadalë po e zhveshin atë nga cdo besueshmëri dhe tërheqje.
Në përgjigje të deklaratave të Simmons, zëdhënësja e BE-së Maja Kocijancic bëri këtë deklaratë pa asnjë lloj sensi:
“BE sikurse EULEX zbatojnë politikën e tolerancës zero ndaj akuzave për sjellje të papërshtatshme dhe të gjithë anëtarët e misionit japin llogari për veprimet e tyre.”
Njësoj si në rastin e sinjalizuezit të mëparshëm për korrupsion në EULEX, veprimi i parë i BE-së është të fajësojë lajmësin—dhe në këtë pikë, BE nuk është më e mirë se qeveria shqiptare.
Një tjetër rezultat i paaftësisë për t’u përballur me faktet—në vecanti kur këto fakte shkojnë kundër imazhit të BE-së—është tërheqja në llogoret e gjuhës figurative dhe metaforike. Për shembull, një metaforë e rëndësishme në promovimin e EULEX-it ishte se ky mision kishte në shënjestër “peshqit e mëdhenj”, politikanët e lidhur me krimin e organizuar.
Kohët e fundit, edhe në Shqipëri, “peshqit e mëdhenj” u bënë pjesë e diskutimit publik, vecanërisht me ambasadorin amerikan Donald Lu që shprehu një oreks të madh.
Por, duket se ndërkombëtarët janë të paaftë të dalin nga lëmi i metaforave—të “peshqëve të mëdhenj” e tjera si kjo—pasi shumica e këtyre “peshqve”, si në Shqipëri dhe në Kosovë, vazhdojnë të notojnë të lirë. Në fakt, në Shqipëri ambasadorja e BE-së ka zgjedhur të jetojë në një vilë të ndërtuar nga një peshkaqen!
Në mungesë të ndonjë vije të qartë politike, apo të vullnetit të vërtet për të kërkuar demokraci dhe transparencë (sepse këto gjëra do të ekspozonin menjëherë hipokrizinë e BE-së), lulëzojnë metaforat dhe gjuha bëhet gjithnjë e më e shkëputur nga realiteti shoqëror që jetojmë.
Një shembull shumë i qartë i kësaj ishte fushata e fundit elektorale në Shqipëri, e cila u zhvillua pothuajse tërësisht në nivelin e metaforave.
Ndoshta, kësaj prirjeje mund t’i referohemi si “ballknazim” i retorikës politike.
Një formë e dytë e ballkanizimit ka prekur jo vetëm EULEX-in, por vetë BE në tërësi, ndërsa forma të ndryshme të separatizmit dhe nacionalizmit janë shfaqur si rrufe kudo brenda Bashkësisë, në lëvizje për të cilat kategorizimi tradicional në të majtë dhe të djathtë, tipik për shekullin e 20-të, nuk është më i zbatueshëm.
Përgjigjia e zbehtë e BE-së ndaj shpalljes së pavarësisë së Katalunjës, mbështetja e plotë e saj për dhunën e tepruar policore, sikurse rruga e përplasjes me Mbretërinë e Bashkuar në bisedimet për daljen nga Bashkësia tregojnë një shkëmb “stabilitokratik”, të paralizuar nga grindjet e brendëshme, pothuajse të paaftë për t’u marë me dukuritë e jashtme.
E vetmja rrugë për të shmangur fatin e mirënjohur të bashkimit Ballkanik të shteteve, të njohur si Jugosllavi, është konfirmimi me forcë i përkushtimit të BE-së ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes transparente. Kjo kërkon asgjë më pak se një rishikim radikal të strukturës së brendshme qeverisëse të BE-së dhe zgjerimit të rolit të Parlamentit Evropian në kurriz të qeverive kombëtare.
Sepse edhe sa kohë mund të tolerojmë komisionerë të pazgjedhur të zbatojnë reforma të dështuara dhe ndërhyrje në periferi pa asnjë llogaridhënie demokratike? Edhe për sa kohë mund të tolerojmë ambasadorë të paaftë të koordinuar nga Përfaqësues të Lartë të pazgjedhur, të keqpërfaqësojnë vlerat e Bashkimit Evropian? Dhe sa kohë mund do të tolerojmë që në vend të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeritu, të bëhet EULEX-i imazhi i drejtësisë evropiane?