A do të urdhërojë Arta Marku nisjen e hetimit për prokuroren e Durrësit Ornela Rrumbullaku?

A do të urdhërojë Arta Marku nisjen e hetimit për prokuroren e Durrësit Ornela Rrumbullaku?

Alban Mësonjësi, bashkëshorti i prokurores së Durrësit, Ornela Rrumbullaku, e komanduar nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Marku, është një prej biznesmenëve që u ka hapur rrugën për të hyrë në tregun financiar shqiptar dy kompanive të përfshira në skandalin “Panama Papers”.

“Lajme.al” ka publikuar më parë investigimin, në të cilin rezultonte se Alban Mësonjësi ka krijuar një kompani bastesh, “24Bast”, me shumë mundësi fiktive, në bashkëpronësi me kompanitë e regjistruara në Panama, “Trillado Enterprises” dhe “Atilova Enterprises”

Për krijimin e kompanisë “24Bast”, në prill 2015, administratori dhe ortaku me pjesën më të madhe të kapitalit, Alban Mësonjësi, deklaron se ka kontribuuar me shumën 20 milionë lekë të reja, pavarësisht se kjo shumë nuk rezulton në asnjë dokument. Gjithashtu, ai, në cilësinë e administratorit, ka marrë një transfertë prej 100 mijë euro nga “Trillado Enterprises”, edhe kjo një shumë që nuk gjendet në bilancet e kompanisë.

“Lajme.al” ka thelluar investigimin e saj për këtë rast, nga e cila janë përftuar të dhëna interesante, me manovra finaciare, të cilat kalojnë kufijtë e Shqipërisë. Kompanitë “Trillado Enterprises” dhe “Atilova Enterprises” rezultojnë të jenë krijuar, si shumë të tjera, nga kompania mëmë “Franco & Franco”, me qendër në Panama, por me pronarë qipriotë.

Këto të dhëna janë bërë publike pas shpërthimit të skandalit “Panama Papers”. Në një material të portalit mediatik grek “lobbystar.gr”, janë prezantuar të dhëna se kompania e regjistruar në Panama, por me kapital qipriot, “Franco & Franco”, ka regjistruar të paktën 275 kompani të tjera, të cilat kanë shpërndarë aktivitetin e tyre në vende të ndryshme. Dy prej tyre, pra Trillado dhe Atilova, kanë gjetur biznesmenin Alban Mësonjësi për të hyrë në tregun shqiptar.

 

 

 

Për të kuptuar më qartë se çfarë ishte skandali “Panama Papers” dhe përse ai shkaktoi tronditje të fortë në financat globale, po i referohemi shpjegimit që ka dhënë gazeta gjermane “Suddeutche Zeitung” (SZ), e cila ishte e para që mori në dorë materialet konfidenciale të kompanisë ligjore panameze “Mossack Fonseca”.

Shkruan “SZ”: “Në përgjithësi, zotërimi i një kompanie off-shore nuk është e paligjshme në vetvete. Megjithatë, një vështrim përmes Panama Papers shumë shpejt zbulon se fshehja e identiteteve të pronarëve të vërtetë të kompanisë ishte qëllimi kryesor në shumicën dërrmuese të rasteve. Ofruesit e kompanive off-shore, midis të cilëve bankat, avokatët dhe këshilltarët e investimeve, shpesh mbajnë sekretet e klientëve të tyre. Nga ana tjetër, gjurmët pastaj të çojë në krerët e shtetit, zyrtarë të rëndësishëm, dhe milionerë…”

Kompania në qendër të të gjitha këtyre historive është Mossack Fonseca, një ofrues panamez i kompanive off-shore me dhjetra zyra në të gjithë botën. Ajo shet firmat e saj në qytete të tilla si Zurich, Londër dhe Hong Kong – në disa raste me çmime të volitshëm. Klientët mund të blejnë një kompani anonime për sa më pak se 1,000 USD. Megjithatë, me këtë çmim është thjesht një guaskë e zbrazët. Për një pagesë shtesë, Mossack Fonseca siguronte një drejtues falls dhe, nëse dëshiron, fsheh aksionerin e vërtetë të kompanisë..”

Pikërisht, dy prej këtyre kompanive, të konsideruara “guaskë e zbrazët”, janë afruar në Shqipëri nëpërmjet biznesmenit Alban Mësonjësi, si ortak të tij në kompaninë pa asnjë aktivitet të basteve, “24Bast”. Duke ndjekur shpjegimin e gazetës gjermane “SZ”, se kompanitë guaskë shërbejnë, më së shumti për fshehjen e aksionerit të vërtetë, atëherë pyetja që shtrohet është: cilin apo cilët aksionerë të vërtetë po fsheh Alban Mësonjësi?

Biznesmeni Alban Mësonjësi, me shumë mundësi, do të duhet të japë shpjegime për këto lëvizje të dyshimta financiare, fillimisht përpara Komisionit të Vetingut, për shkak se bashkëshortja e tij, prokurorja Ornela Rrumbullaku është përfshirë në këtë proces. Sipas Kodit të Familjes, pasuritë e krijuara pas martesës, konsiderohen të përbashkëta 50-50% ndërmjet dy bashkëshortëve. Ndaj, në rastin konkret, pasuria e bashkëshortit të prokurores konsiderohet e njëjtë me atë të bashkëshortit.

Por, nga ana tjetër, çështje të pastrimit të parave, do të duhet urgjentisht të hetohen nga Prokuroria. Por, aktualisht, institucioni i Akuzës drejtohet nga Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, e cila e sheh si “investim” të sajin prokuroren Ornela Rrumbullaku.

 

Publikuar më parë në Lajme.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>