Përhapja e koronavirusit ka nxitur Gjermaninë të bëjë të detyrueshëm mbajtjen e maskave në transportin urban dhe po kështu Bavarinë të anulojë aktivitetet e tetorit gjerman, njohur si Oktoberfest.
Autoritetet federale raportuan të martën 194 viktima të tjera mes pacientëve me Covid-19 duke e çuar totali në rreth 5000 të vdekur, ndërsa numri i të infektuarve ka vajtur në rreth 147 mijë.
Dhjetë lande, nga 16 në total, kanë vendosur që prej 27 prillit qasja në transportin urban të bëhet e detyrueshme me maskë.
Ndërkohë drejtuesi i landit të Bavarisë, Markus Soeder, u shpreh se këtë vit është i pamundur zhvillimi i tetorit gjerman, konsideruar si festa më e madhe e folkut dhe birrës në botë që përfshinë rreth 6 milionë njerëz, vendas dhe turistë.
Këtë vit festa pritej të organizohej nga data 19 shtator deri më 4 tetor.
Bavaria është landi më i prekur nga Covid-19 në Gjermani me rreth 40 mijë të infektuar. Vetëm qyteti i Munihut ka mbi 5000 persona të sëmurë. Më pas vijnë rajonet e Nordrhein-Westfalen dhe Baden-Württemberg me nga 30 mijë të infektuar secila.