41 ton beton do të hidhen në Parkun Kombëtar të Butrintit, në pjesën e njohur si Akropola, pranë Kullës Veneciane.
Ky fakt u pohua dje gjatë seancës dëgjimore në Kuvend me Ministren Kumbaro për ndërtime ende të paqarta që po zhvillohen brenda parkut të Butrintit, të cilat u denoncuan nga media javën e shkuar.
Ky informacion e bëri publik aktivistja shoqërore Alida Karakushi, e cila ndoqi seancën e zhvilluar në Komisionin kuvendor të Arsimit, Medias dhe Kulturës.
Por kjo seancë nuk ka hedhur shumë dritë mbi ndërtimet që po kryhen në Butrint. Deri më sot të vetmet informacione publike për projektin ndërtimor janë disa imazheve render të prodhuar me kompjuter, bërë publike nga Ministrja Kumbaro gjatë në interviste të dhënë ditën e hënë për televizionin News 24.
Gjatë seancës Ministrja nuk e bëri publik projektin, por u mjaftua me disa informacione të ëprgjithshme dhe një deklaratë të bërë për mediat në të cilin pohohej se në Butrint nuk do të ngirhet asnjë ndërtesë e re por vetëm do të rehabilitohen ato të vjetrat:
“[A]snjë godinë e re nuk ndërtohet në Parkun Kombëtar të Butrintit, por është duke u kryer përshtatja e ambienteve ekzistuese me struktura të përkohshme dhe në përputhje me të gjithë parametrat e parashikuara nga konventat e UNESCO-s”.
Deklarata sqaron se në Butrint nuk po kryen gërmime apo ndërtime të reja, por përshtatja e objekteve ekzistuese me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e shërbimeve të standardizuara brenda Parkut Kombëtar të Butrintit.
Por ky pohim duket se përgënjeshtrohet nga vendimet e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve (KKR) dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA). Vendimi i KKR-së, Nr. 149, datë 15 maj 2017, ka miratuar “projektin ‘Rehabilitimi dhe ndërtimi i pikave të shërbimit në qytetin antik të Butrintit, Sarandë’, hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës”. Pra, vendimi flet për ndërtim të godinave të reja.
Të njëjtin përshkrim ka edhe vendimi i KKA-së, numër 106 datë 25 maj 2017, “miratimin e projektit për ‘Rehabilitimi dhe ndërtimi i Pikave të Shërbimit në qytetin antik të Butrintit – Sarandë’, hartuar nga Instituti i Monumenteve me kushtin e mosprekjes së nëntokës”.
Parku Kombëtar i Butrintit është shpallur monument kulture në mbrojtje nga shteti shqiptar në vitin 1948. Më pas është regjistruar si pasuri botërore e UNESCO-s në vitin 1992 dhe është përfshirë në listën e Monumenteve në Rrezik në vitin 1997.