
Rreth 450 turistë janë karantinuar në një fshat turistik në Sardenja të Italisë pasi një prej punonjësve të resortit rezultoi i infektuar me Covid-19.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin turistik Santo Stafano, në ishullin Maddalena.
Sipas informacioneve paraprake, një muzikant, punonjës sezonal i resortit, rezultoi i infektuar pasi kishte disa nga simptomat e virusit.
Ai tani është në gjendje të mirë por është transferuar në departamentin e sëmundjeve infektive të spitalit të Sassarit.
Pas kësaj, masat parandaluese u morën ndaj të gjithë personave të pranishëm në Santo Stefano: të 450 turistët mund të lëvizin brenda zonës së fshatit, por jo të dalin për të shkuar në vende të tjera, dhe as të shkojnë në shtëpi.
Dy turistë tentuan të arratiseshin, por u kapën nga policia para se të mbërrinin në aeroport.
Të gjithë personave të karantinuar i është bërë tamponi dhe janë në pritje të përgjigjeve.
Kryetari i Komunës së La Maddalena, Carlo Montella, tha se situata është nën kontroll dhe se nuk ka asgjë për tu shqetësuar deri sa të vijnë përgjigjet e të gjithë testimeve.