5 kompania kanë paraqitur ofertë për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Spitallë, të Durrësit. Fituesi do të shpallet më 2 mars. Lajmin e njoftoi zëvendësministri për Energjinë Gjergji Simaku, në një intervistë për median.
Kompanitë që po vlerësohen janë: një bashkim kompanish shqiptare dhe indiane, 1 kompani kineze, 2 kompani gjermane dhe kompania Volitalia që po ndërton parkun fotovoltaik në Karavasta. Gara për ndërtimin e parkut fotovoltaik u shpall më 19 nëntor 2020.
Në një ceremoni të mbajtur në kryeministri për njoftimin e hapjes së garës, kryeministri Rama njoftoi se 70 përqind e energjisë diellore të prodhuar do të jetë për tregun e brendshëm.
Ky do të jetë parku i tretë fotovoltaik në vend, pas atij të Karavastas dhe Akërnisë.
Më 31 korrik 2020, qeveria firmosi marrëveshjen me kompaninë franceze ‘Voltalia’ për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, për prodhimin energjisë elektrike përmes paneleve diellore.
Ndërsa në 2018 miratoi ndërtimin e parkut fotovoltaik në Akërni, i cili ka ngecur për shkak të negociatave ende të papërfunduara me kompanitë fituese.