5 restorantet që preferoj në Prishtinë

Nga Enver Robelli
5 restorantet që preferoj në Prishtinë

E kam të qartë: kjo listë është krejtësisht subjektive, pra një vlerësim fund e krye personal, por është një listë e pashmangshme.

E pashmangshme për shkak se shqiptarët e Perëndimit deri në fillim të verës do të jenë (pjesërisht) të vaksinuar.

Rrjedhimisht, do të kenë mundësi të udhëtojnë në Kosovë. Mund të shkojnë në Romë, Napoli apo Milano, por këshilla e dëshira ime është kjo: shkoni në Kosovë, harxhoni para në Kosovë.

Sepse askund në Europën Perëndimore s’merrni aq shumë për aq pak para, pa hyrë këtu në arsyet patriotike për të vizituar atdheun, të parin apo të dytin apo të tretin, si të doni.

Pas një bredhjeje gati dyjavore nëpër Kosovë (me një fundjavë në Tiranë e Durrës) qe, këtu, në vijim, një listë prej 5 restoranteve të mia që ia preferoj çdo vizitori të Prishtinës:

1. THANA ROSTIÇERI

Thana Rosticeri Prishtine

Do të dëshiroja që ky lokal në Dragodan të kishte shumë më tepër mysafirë nga mërgata. Është restorant fantastik! Këtu kombinohet për mrekulli tradicionalja me internacionalen.

Kosova me Kretën (ishull grek me shumë shqiptarë gjatë historisë, por edhe tani). Për shembull: sallatë e Kretës me domate dhe kos. Por këtu ndërlidhet edhe Kosova me Vietnamin – ato supat tmerrësisht të shijshme me mish pule. Ka edhe mrekulli të tjera: thëllëza të marinuara gjatë natës dhe të pjekura në furrë, të shërbyera me shparguj.

Për xhepin e shqiptarëve të Zvicrës: çmimet janë… nejse. Pra, shkoni te Thana… Edhe llojet e bakllavasë janë pothuaj hyjnore. Pastaj… kofshë gjeli me jufka Dibre. Mandej: Pjatë me fasule të njomë, panxhar të kuq, vezë fshati të zier, gjethe sallate, djathë i njomë i bërë nga Thana dhe arra të pjekura. E marinuar me vaj ulliri bio, uthull molle bio dhe salcë mustarde të bërë nga Thana.

LEXO  Kongresmenët amerikanë kërkojnë dëmshpërblim për muxhahedinët

Edhe diçka: ndiqeni Thanën në Instagram.

2. BASILICO

Osteria Basilico Prishtine

Pothuaj krejt çka ofron kuzhina italiane, e gjeni në Basilico, afër ndërtesës së Bankës së (dikurshme) të Lubjanës. Pasta dhe mrekulli të tjera – lista është e gjatë. Plus: kamerierë të kujdesshëm dhe të përzemërt.

3. TIFFANY

Tiffany Retaurant Prishtine
Tiffany Retaurant Prishtine

Kush e pëlqen kuzhinën tradicionale (e kush nuk e pëlqen?), në Tiffany është në vendin e duhur. Flladi pranveror i kopshtit të restorantit është legjendar. Kamerierët, kur kanë pak kohë, pyesin: “E kush do të fitojë në zgjedhjet lokale në Gjakovë?” Pyetje interesante…

4. BRUNI

Tiffany Retaurant Prishtine
Tiffany Retaurant Prishtine

Picat e Brunit po të dilnin në garë me picat e përgatitura në Itali – do ta fitonin garën. Lokali gjendet në Pejton (ose thënë më saktë: te Banka e re e Lubjanës).

5. PONTE VECCHIO

Ponte Vecchio Prishtine
Ponte Vecchio Prishtine

Një lokal i “madh” sa një garazh veture, por i madh me kuzhinë italiane. Me atmosferë të ngrohtë dhe çmime pothuaj humanitare (sidomos për klientelën shqiptare të bankave të Zürichut). Ponte Vecchio është ura më e vjetër në Firence të Italisë.

***

Për hir të transparencës: nuk kam asnjë lidhje personale me askënd nga pronarët e këtyre lokaleve dhe s’kam asnjë interes personal që ndërlidhet me këto lokale. Pra, qëllimi i tekstit është subversiv: t’i nxisë shqiptarët e mërgatës të harxhojnë pak para në Prishtinë. Bileta e avionit për të fluturuar në Prishtinë këto ditë kushton rreth 200 franga. E për 200 franga në Zürich hani dy pica (të mira), dy sallata (deri diku të mira) dhe pini një shishe verë (mesatare). Mirë është këtu, por nganjëherë bukur është në Prishtinë. Plus: Prishtinën mund ta kombinoni me Tiranën. Sepse tash kompania ajrore Swiss ka nisur fluturimet nga Tirana në Zürich.

Ky artikull u botua origjinalisht në platformën Flas Shqip.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme