Pesë vite më parë Nënë Tereza u shenjtërua nga Papa Françesku për shërbimet ndaj të varfërve dhe sëmurëve në Kalkuta të Indisë.
Nënë Tereza është kthyer në ikonë të Kishës Katolike, për përkushtimin dhe përpjekjet e saj për të varfrit dhe të sëmurët, veçanërisht në Kalkuta të Indisë.
Papa Françesku e ka ngritur lart figurën e Nënë Terezës si model për çiltërsinë me të cilën ajo i përkushtohej të varfërve dhe të ka njohur cilësinë e shenjtë të murgeshës e cila e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj në agoninë e ndjesisë se Zoti e kishte braktisur.
Sipas letërkëmbimeve të saj, Nënë Tereza përjetoi atë që Kisha e quan “një natë e zezë e shpirtit” – periudhë të dyshimit shpirtëror, dëshpërimit dhe vetmisë së përjetuar nga shenjtorët më të mëdhenj. Në rastin e Nënë Terezës kjo periudhë zgjati gati 50 vjet.
Nënë Tereza lindi më 26 Gusht 1910 në Shkup, si Agnes Bojaxhi, nga prindër shqiptarë. Në vitin 1929 ajo shkoi në Indi si murgeshë e Urdhërit të Loretos.
Në vitin 1946, ajo dëgjoi një thirrje hyjnore e cila e ftoi atë ti përkushtohej të varfërve, të harruarve dhe të braktisurve.
Në vitin 1960 ajo themeloi organziatën Misionaret e Bamirësisë, i cili u kthye në një urdhër botëror për murgeshat. Ato identifikohen me veshjen e tyre të bardhë me viza blu.
Në vitin 1979, nënë Tereza asaj iu dha Çmimi Nobel për Paqen.
Ajo vdiq në vitin 1997, në një shtëpi të varfër në Kalkuta.
Në vitin 2003, Papa Gjon Pali II e lumturoi Nënë Terezën duke i hapur rrugën shenjtërimit të saj, që ndër të tjera kërkon të vërtetohen dy mrekulli.
Mrekullia e parë u njoh më 2002, kur një grua 30 vjeçare nga Kalkuta deklaroi se u shërua nga tumori, pasi hoqi dorë nga ilaçet dhe filloi t’i lutej Nënë Terezës.
Mrekullia e dytë u njoh më 2006, kur një burrë me kancer në tru, u shërua pasi të afërmit e tij iu lutën Nënë Terezës.
Për lumturimin e shpejtuar të Nënë Terezës pati shumë kritika. Por Papa Gjon Pali II në atë kohë pohoi se “në ditët tona Zoti na frymëzon modele të reja shenjtërimi”