
Presidenti turk Ergodan deklaroi sot se 500 banesat e premtuara nga Turqia për familjet e prekura nga tërmeti do të jenë gati brenda një viti.
Në një deklaratë për median, pas konferencës së investitorëve të vendeve islamike, presidenti turk tha se puna ka filluar:
“Përsa i përket ndërtimeve, ka filluar puna. Të gjitha ekipet janë andej dhe në kontakt me ministren e Kulturës në Shqipëri. Po presim që të vendoset për vendin ku do të ndërtohet, në mënyrë që të nisë sa më shpejt procesi.
Diskutuam me kryeministrin dhe ai tha se banesat mund të jenë gati brenda 6 muajsh deri në një vit.”
Presidenti turk tha se Turqia gjithashtu ka dërguar në Shqipëri një numër të madh çadrash dimërore ku mund të strehohen familjet gjatë ditëve të ftohta. Aktualisht shumë banorë janë ende të strehuar nëpër çadra të thjeshta ku reshjet e shiut kanë deportuar, duke e bërë edhe më të vështirë qëndrimin në këto ditë të ftohta.
Gjatë konferencës së investitorëve nga 57 vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ku po merr pjesë dhe kryeministri Rama, presidenti Erdogan i bëri thirrje shteteve të ndihmojnë Shqipërinë në përballimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona, u plagosën 700 të tjerë dhe humbën shtëpitë rreth 10 mijë banorë.