’52 Gra Shqiptare’ –Enriketa Papa

Nga Alice Elizabeth Taylor
’52 Gra Shqiptare’ –Enriketa Papa

Enriketa Papa është pedagoge në Universitetin e Tiranës, si dhe historiane, shkrimtare, redaktore, akademike e studiuese. Fokusi i saj është historia, memoria e diktaturës komuniste dhe historia bashkëkohore e Shqipërisë.

Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës në Histori, ka një Master në Histori dhe Doktoraturë në Histori Bashkëkohore dhe Histori të Evropës Jug-Lindore nga Universiteti i Grazit në Austri.

Ajo gjithashtu është pjesë e bordit të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe ka shkruar një sërë punimesh dhe librash. Ajo jeton në Tiranë me bashkëshortin dhe dy fëmijët.

Disa nga pjesët kryesore të rrëfimit të Enriketa Papës janë:

Unë kam lindur në Tiranë. Babai im ishte mësues historie dhe nëna ime ishte sekretare në një shkollë të mesme. Mendoj se dashuria dhe pasioni im për historinë ishte i trashëguar nga babai. Gjatë gjithë fëmijërisë time mësoja prej tij dhe u ndikova nga ai dhe pa dyshim, përfundova duke ndjekur rrugën e tij!

Kur ishte koha për të shkuar në universitet, aplikova në Fakultetin e Drejtësisë dhe Fakultetin e Historisë sepse drejtësia ishte hobi im dhe historia pasioni im. Nuk arrita të kualifikohesha për drejtësi dhe për një vit mbeta pa studime. Ishte një periudhë e vështirë sepse kisha ëndërruar të bëhesha gjyqtare, e megjithëse isha student e shkëlqyer, sërish nuk munda ta fitoja vendin.

Më pas vendosa të regjistrohesha në Fakultetin e Historisë dhe u fokusova që të studioja sa më shumë. Ishte një periudhë e vështirë për familjen time – prindërit e mi jetonin vetëm me pensionet.

Gjatë studimeve mu dha mundësia të punoja në një projekt të Universitetit të Tiranës dhe atij të Grazit në Austri. Në fund të projektit, Universiteti i Grazit ofronte dy vende pune për studentët më të mirë, unë dhe shoqja ime i fituam ato.

U transferuam atje për të punuar në Departamentin e Historisë së Evropës Jug-Lindore dhe ndenjëm atje plot 7 vite, përpara se të kthehesha në Tiranë në 2007-ën.

Gjatë shkollës dhe transferimit në Austri, të dy prindërit e mi u ndanë nga jeta brenda një viti nga njëri-tjetri dhe unë isha shumë e trishtuar, bëra çmos për të fokusuar energjinë time në studime dhe ia dola. Përfundova studimet master, doktoraturën, u martova dhe linda djalin përpara se të kthehesha në Tiranë.

Kisha dëshirë të kontribuoja në vendin tim dhe të vija në shërbim të tij përvojën, njohuritë dhe metodologjitë e reja që kisha mësuar. Por për 3 vite me radhë nuk gjeta punë dhe u demoralizova shumë.

Më pas qeveria nisi një program për ‘thithjen e trurit’ dhe hapi 200 vende të reja në universitete. Për fat të mirë u përzgjodha.

Para se të filloja punë në Universitetin e Tiranës, kisha filluar të pyesja veten se pse kishte mungesë të studimeve të periudhës së komunizmit në kurrikulat e universitetit. Pse askush nuk e studionte atë periudhë?

Pastaj shkova në departamentin e historisë dhe sugjerova të bëja një kurs për Historinë dhe Memorien pasi nuk kishte asgjë të ngjashme në atë kohë. Universiteti pranoi, ne filluam një shkollë verore në bashkëpunim me OSEC dhe ofruam vetëm 30 vende. Vitin e parë, kishte mbi 350 aplikues, kështu që ne dyfishuam numrin e vendeve, duke e rritur atë në 90, vitin e ardhshëm. Ishte një sukses i madh dhe studentët ishin aq të përgjegjshëm dhe të interesuar për këtë temë të panjohur më parë.

Mendoj se ishin të interesuar sepse studentët e lindur në vitet 90 nuk kishin fare informacion apo njohuri për atë periudhë. Mendoj se ne thjesht duhet të shohim situatën sot për të kuptuar se pas 45 vjetësh komunizëm, ai ende na prek thellë. Pa e kuptuar atë që ka ndodhur, ne nuk mund të ecim përpara dhe nuk mund të ëndërrojmë dhe planifikojmë një të ardhme.

Në punën time kam pasur fatin të punoj e qetë, pa presione, por e di që ka plot raste të tilla. Ndoshta po të mos isha pedagoge, nuk do të punoja kaq qetë. Kjo për shkak se kaq shumë nga personazhet e asaj kohe janë akoma në pushtet ose janë rikthyer në pushtet.

Njerëzit e dëmtuar nga komunizimi janë ende në pritje të parave të fituara në kampe pune dhe për kompensimet.

Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa studiuar të kaluarën, pa u dhënë viktimave ato që meritojnë dhe duke i mbështetur ata.

Mbaj mend kur shkoja me babanë tim në protestat e studentëve që shënuan dhe fundin e regjimit. Mbaj mend gjithashtu shpresën që të gjithë kishin dhe ndienin – shpresën për ndryshim dhe përmirësim të jetëve tona.

Mjerisht, këto mrekulli nuk erdhën. Të gjithë donim një fillim të ri, por korrupsioni në politikë nga të dy palët e pengoi atë të ndodhte.

Sfida më e madhe me të cilën shoh se përballën studentët e mi është pasiguria për të ardhmen.

Shumë nga studentët e mi dëshirojnë të largohen nga Shqipëria dhe unë do t’i inkurajoj ata ta bëjnë këtë, të studiojnë, të fitojnë njohuri dhe të mbledhin informacion, pastaj të vendosin nëse do të kthehen në atdhe apo jo.

Është e trishtë por ndonjëherë mendoj se këtu nuk ka shpresë dhe e pyes veten se përse u ktheva – mungesa e sigurisë na prek të gjithëve.


Ky artikull u botua fillimisht në The Ballistista.

Kjo është intervista e katërt e një serie me intervista të 52 grave shqiptare.

Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>