’52 Gra Shqiptare’ – Intervistë me Anilda Noçkën

Nga Alice Taylor
’52 Gra Shqiptare’ – Intervistë me Anilda Noçkën

Anilda Noçka është instruktore dhe sipërmarrëse e yogës. Ajo ka studiuar letërsi në Universitetin e Tiranës para se të merrte një diplomë në Drejtësi të Biznesit nga Universiteti i Camerinos, një MBA në Financë nga Universitetet Bocconi dhe Stanford, dhe një Doktoraturë në Drejtësi Ndërkombëtare të Biznesit nga Universiteti i Oksfordit.

Pasi punoi në një firmë ligjore në SHBA, ajo vendosi të heqë dorë për të ndjekur diçka tjetër. Ajo u bë instruktore e certifikuar e tipit të yogas Baptiste Poëer në vitin 2012 dhe pas trainimit me themeluesin Baron Baptiste, ajo u kthye në Shqipëri për të hapur studion e saj të yogas.

Disa nga pjesët kryesore të rrëfimit të saj janë:

“Kam lindur në Korçë, nga ku është nëna ime, por pjesën më të madhe të rinisë e kalova në qytetin e Lushnjes. Pastaj në vitin 1993, u transferova në Tiranë për të studiuar letërsi në universitet – degë që shteti komunist e zgjodhi për mua sepse kështu ishin gjërat në atë kohë.

Më pas fitova një bursë për të studiuar në Itali dhe aty kuptova për herë të parë se kisha lirinë për të zgjedhur unë çfarë të studioja. Vazhdova studimet për financë dhe më pas drejtësi – në atë kohë mendova se ai ishte pasioni im.

Pas studimeve në Itali, u zhvendosa në Amerikë ku kishte shkuar dhe familja ime. Aty mu dha shanci për të vazhduar studimet në Universitetin e Oxfordit, në Angli.

Pasi mbarova doktoraturën, u ktheva në SH.B.A. dhe fillova të punoj si avokate në një studio në Pittsburgh.

Më pas në vitin 2011, gjithçka ndryshoi. Babai im ndërroi jetë dhe vendosa të marr një vit pushim nga puna. Asgjë nuk ju përgatit për humbjen e një prindi, por kur i humbet në mënyrë të papritur dhe në mënyrë drastike është edhe më e vështirë, më bëri të ndalem dhe të rimendoj se ku isha dhe çfarë po bëja.

Kuptova sa e lehtë ishte që të përfshihesh në jetë dhe të ndjekësh paratë dhe pushtetin. Mund të tingëllojë si klishe, por kuptova që paratë nuk janë gjithçka.

Gjatë atij viti pushim udhëtova shumë, kalova shumë kohë duke reflektuar, praktikuar joga, derisa një ditë përfundova në një konferencë për Yogan dhe gjithçka ndryshoi.

Gjatë konferencës, vendosa të shkoj në një klasë me Baron Baptiste dhe në fund të orës së mësimit, e gjeta veten duke u munduar të mbaj lotët. Kuptova se në nëntë muaj që kishin kaluar nga vdekja e babait,  nuk kisha qarë fare.

Duke qenë shqiptare, ne me të vërtetë nuk na pëlqen të tregojmë emocionet tona në publik, por sa më shumë që përpiqesha t’i mbaja lotët, aq më shumë qaja. Ishte thjesht një lëshim total dhe më bëri të kuptoja se edhe unë isha thjesht një njeri me emocione të vërteta, të papërpunuara.

Baptiste Yoga është shumë më tepër se sa një pozicion, por të bën të mendosh ‘pse-në’ – pse po lëviz në këtë drejtim, pse po bën këto gjëra në jetë. E gjeta veten duke marrë më shumë klasa, duke u kujdesur për veten, duke praktikuar më shumë joga dhe mësova të largoj nga vetja gjëra që nuk ishin më të rëndësishme.

Baptiste Yoga ju sfidon fizikisht, por gjithashtu ju ndihmon në ndërtimin e një praktike që ju bën të ndiheni mirë.

Pastaj bëra një kurs për tu bërë trajnere joge dhe u ktheva në Shqipëri, ku pashë shumë njerëz që e kishin humbur shpresën dhe më pyesnin se përse u ktheva. U trishtova – ka shumë njerëz me shpirt e zemër të bukur por shumë pak frymëzim.

Kisha filluar të praktikoja joga me një mikeshë dhe vendosëm të hapnin një studio. Viti i parë ishte i tmerrshëm, por ngadalë njerëzit filluan të vinin. Kishte raste kur bëja mësim vetëm për një person, por më pas ai sillte të tjerë miq me vete.

Më shumë se çdo gjë fillova të shijoj kënaqësinë që të jep mësimi. Të shikosh teksa njerëzit rriten, e shijojnë momentin dhe kërkojnë më shumë – ishte e mrekullueshme dhe më e vlefshme se të gjithë paratë.

Sa herë shkoja në Amerikë për të vizituar mamanë time, mërzitesha pas një javë dhe më mungonte Shqipëria dhe mësimet e jogës.

Kur i tregova një mikeshe se si ndihesha, ajo më tha: “kur diçka bëhet kaq e rëndësishme për jetën tënde sa një ditë pa të nuk ndihesh mirë, atëherë do të thotë se ajo është gjëja e duhur.” Ajo gjithashtu më tha të mos fokusohesha tek të bërit para – por tek kënaqësia, energjia dhe lumturia e njerëzve të cilëve po i mësoja joga.

Kur u ktheva  sërish në Tiranë, kuptova se çdo gjë kish rënë në vendin e vet.

Në Shqipëri mendoj se duhet t’i mësojmë grave të jenë të pushtetshme dhe të gjejnë forcën. Besoj se duke i frymëzuar njerëzit, ata mund të ndryshojnë botën.

Duhet të kuptojmë dhe forcën që kemi brenda. Ne si gra kemi fuqinë të ndryshojmë familjet tona, bashkëshortët, fëmijët tanë dhe gjithëashtu mund të fuqizojmë gra të tjera.

Ne duhet t’ia japim njëra-tjetrës mjetet për ta bërë këtë – duhet të flasim për tejkalimin e frikës dhe pengesave që kemi.

Unë gjithashtu besoj se gratë shqiptare janë tepër të forta, por shumë kanë frikë ta tregojnë këtë sepse mendojnë dhe e dinë që do të gjykohen.


Kjo është intervista e gjashtë e një serie me 52 intervista.

Intervista u botua më parë këtu.

Përkthyer nga Exit News.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>