Xheni Karaj, 34 vjeç, është feministe dhe një nga aktivistet më të njohura të komunitetit LGBTI në Shqipëri. Ajo ka studiuar për psikologji në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë dhe ka qenë një nga nismëtaret për fillimin e zhvillimin e lëvizjes LGBTI në Shqipëri.
Karaj është gjithashtu bashkëthemeluese e organizatës Aleanca LGBT, strehëzës STREHA, dhe autore e SkaNdal, një dokumentar i historisë LGBTI në Shqipëri.
Disa nga deklaratat kryesore të Xheni Karajt në këtë intervistë janë:
“Isha 7 vjeç kur kuptova për herë të parë që më pëlqejnë femrat. Nuk e kuptoja që isha lezbike sepse nuk dija se çfarë ishte, thjesht dija se çfarë ishte tërheqja dhe fluturat në stomak.
Kur isha 14 vjeç e dija që ajo që unë ndjeja kishte një emër, edhe pse shumica e njerëzve në atë kohë thjesht u referoheshin njerëzve LGBTI, si pedofilë dhe fjalë të tjera negative.
Nuk e kisha problem ta pranoja veten, por ta kuptoja veten sepse nuk kisha një emër apo emërtim për atë që ndjeja apo se çfarë isha.
Gjatë viteve të adoleshencës, nuk ndihesha si të tjerët. Kam pasur frikë vazhdimisht se njerëzit do të kuptonin atë që mendoja dhe ndieja dhe se ata nuk do të më kuptonin. Unë u ndjeva e largët nga të tjerët fillova të mbyllesha në veten.
Fillova të kem shumë probleme psikologjike si depresioni, anoreksi, pagjumësi dhe mendime vetëvrasëse sepse kisha aq shumë inat e mllef brenda meje dhe nuk dija çfarë të bëja me të.
Kur isha 18 vjeç i tregova shokut tim të ngushtë, por për habinë time, ai më tha se e kishte kuptuar dhe po priste momentin kur unë t’ia tregoja vetë.
Kuptova se nganjëherë ne humbasim kaq shumë në veten tonë dhe konsumohemi aq shumë nga frika sa nuk u japim të tjerëve një shans për të na pranuar, thjesht sepse mendojmë më të keqen.
Asnjëherë nuk kam menduar se do të bëhem aktiviste. Fillova aktivizmin në moshën 21 vjeç, pa e ditur vërtet se çfarë ishte apo çfarë do të thoshte.
Takova një çift lezbikesh amerikane që kishin ardhur të jetonin këtu. Ata filluan të organizojnë darka në shtëpinë e tyre dhe ne mblidheshin e diskutonim – u bë si një familje.
Fillova të vëreja që shëndeti im mendor po përmirësohej, sepse po i ndaja mendimet e mia me njerëz të tjerë dhe po kuptoja gjithnjë e më shumë se nuk isha vetëm.
Filluam të mendonim se çfarë mund të bënim në drejtim të krijimit të një komuniteti, kështu që filluam një grup FB të quajtur Aleanca Gay dhe Drejt. Brenda dy muajve, grupi kishte mbi 500 anëtarë.
Shtëpia e zonjave amerikane u bë si një bashkësi dhe grupi në Facebook u bë më i madh. Pastaj në vitin 2009, ne vendosëm të bëjmë aktivitetin tonë të pare me postera të tillë si ‘homofobia është sëmundje sociale’, të cilat i vumë natën nëpër Tiranë.
Ishte nata më e bukur e jetës sime – Ndjeva një qëllim dhe mbi të gjitha ndjeva se i gjithë ai zemërim që më shkatërronte më parë ishte kanalizuar në diçka pozitive.
Më pas, ne kontaktuam Sevim Arbana dhe ajo na lejoi të përdorim qendrën e saj të grave në Selite për aktivitete dhe takime.
Nga atje filluam të bëjmë më shumë art rruge dhe mbishkrime në të gjithë Tiranën. Në këtë kohë në 2009-ën, ne i bënim aktivitetet vetëm natën.
Kështu reaguam publikisht dhe ndaj deklaratës së kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha ku shprehej se do të lejonte martesat gay.
Sapo bëmë atë deklaratë publike, gazetarët filluan të na kontaktojnë për intervista. Unë përdorja emra të ndryshëm dhe jepja intervista përmes telefonit, por herë pas here shkoja të takoja ndonjë gazetar të besuar që e dija se do të ruante anonimitetin tim.
Në vitin 2010, ne bëmë aksionin e parë gjatë ditës- Mjekët e Homofobisë- dhe shpërndamë fletë informacioni në Tiranë.
Pastaj një ditë, unë pranova të shkoj në televizion për të folur për lezbiket për sa kohë që fytyra ime ishte e mbuluar.
Ua sqaruam gazetarëve se ata duhej të ndryshonin zërin tonë dhe të siguroheshin që fytyrat tona të ishin të mbuluara sepse kjo ishte jeta jonë private. Për fat të keq, kur u transmetua intervista, ata na kishin mbuluar fytyrat, por nuk i kishin ndryshuar zërat tanë, kështu që kur folëm, të gjithë e dinin që ne ishim ne.
Kisha shumë frikë. Unë punoja në një institucion shtetëor, AMA, dhe kisha frikë se do humbisja punën.
Kisha frikë nga reagimi i familjes sepse ata nuk e dinin.
Halla ime kishte parë intervistën dhe kishte dalluar zërin tim. I kishte rënë të fikët. Kur shkova në shtëpi gjej mamin, babin dhe hallën, ulur në tryeze, në një atmosfere si në një varrim.
U ula për të ngrënë dhe mami ime filloi të thoshte gjëra të çuditshme si “oh ti dëshiron të ndryshosh botën”, dhe pastaj tezja më tha që ajo më kishte parë në televizion dhe më pyeti nëse isha lezbike. Unë u përgjigja “sigurisht që jam lezbike, më dëgjove dy orë të flas për gratë që i duan gratë” – ishte si një komedi dramatike. Mami qante, tezja ime po bënte pyetje të çmendura – ata thanë që unë po turpëroja familjen.
Pas një diskutimi, ata thanë që do të më pranonin me kushtin që unë të hiqja dorë nga aktivizmi sepse nuk donin që fqinjët ta merrnin vesh. Në këtë pikë, i pyeta nëse e kujtonin sa sa e sëmurë dhe në depresion kisha qënë më parë dhe i thashë se ajo që më ndihmoi ishte aktivizmi – nuk mund të kthehesha në jetën e mëparshme.
Tani që ata e dinin, ndihesha sikur ishte hera e parë që mund të kisha një lidhje të sinqertë me ta dhe t’u tregoja se kush isha vërtet. Ishte çliruese.
Atëherë, një shoku im, Kristi Prendi i cili ishte i përfshirë në lëvizjen LGBT, filloi të bëhej i shquar edhe pse ende nuk e kishte shprehur hapur se ishte gay.
Ishte maj 2012, koha e paradës së parë të krenarisë dhe ai ishte i ftuar në emisionin ‘Opinion’. Kristi më ftoi të shkoja me të për t’u ulur në audiencë për mbështetje dhe unë i premtova nënës sime që nuk do të flisja.
Shfaqja ishte një tmerr dhe u bë shpejt shumë agresive – një anëtar i panelit, Murat Basha i tha Kristit gjatë reklamës “nëse më flet kështu përsëri, do të të pres fytin”. Ai gjithashtu i tha atij “nëse djali im bëhet si ju, unë më mirë e qëlloj atë dhe shkoj në burg” – dhe kjo më zemëroi shumë. Mendova me vete, heshtja nuk është zgjidhje dhe nuk mund të rri më e heshtur.
I kërkova Blendit të më jepte mikrofonin dhe të gjitha kamerat mu drejtuan. “Arsyeja pse komuniteti ka vështirësi dhe probleme dhe pse njerëzit e saj të jetojnë nën hije është për shkak të urrejtjes nga njerëz si ju”, thashë. Blendi tha: “oh kemi një lezbike në audiencë …” dhe kaq ishte. Nuk disa ç’të bëja.
Pas emisionit, nuk doja të kthehesha në shtëpi, nuk doja të shkoja në punë – miqtë e mi nuk mund ta besonin atë që kisha bërë, telefoni im vetëm binte, u ndjeva e shqetësuar, e tensionuar, dhe kaq e frikësuar.
Në momentin kur dola në rrugë, njerëzit më bërtisnin në rrugë – ishte si ecja e turpit “shikoni lezbiken”. Vazhdoi kështu me muaj. Kam marrë kërcënime, abuzime, ngacmime dhe prindërit e mi janë përmbytur me telefonata.
Familja, miqtë – të gjithë kishin diçka për të thënë për të dhe ishte shumë e vështirë për ta. Ndjeva shumë faj për këtë; kjo dhimbje që u kisha shkaktuar atyre, sulmet, thashethemet, komentet – ishte një kohë e tmerrshme për ta.
Unë i thashë nënës sime “duhet të kuptosh që kur njerëzit të shohin të cenueshme, do të të shkatërrojnë, nëse u tregoni njerëzve se jeni krenarë për mua, ju merrni fuqi dhe ato nuk mund t’ju lëndojnë më.”
Tani, fatmirësisht i kemi kaluar ato periudha të vështira dhe prindërit e mi më mbështesin plotësisht. Atyre nuk u interesojnë ato që thonë njerëzit dhe unë i falënderoj për këtë çdo ditë, sepse nuk ka mund të arrija asgjë pa mbështetjen e tyre, dhe natyrisht trimërinë e tyre.”
Ky artikull u botua fillimisht në The Ballistista.
Kjo është intervista e dytë e një serie me intervista të 52 grave shqiptare.
Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.