Imazhi i mësipërm shfaqet menjëherë sapo hyn në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. Në qendër të faqes është një fotografi me gisht akuzues e Ministrit Cani. Në krah të djathtë të fotos, në krye të listës së lajmeve, një deklaratë e Ministrit me titull:
“Ministri Cani: Opozita? Ndjesë publikut, po ju nuk keni turp të turpëroheni!”
Po të lexosh fjalimin, është një fjalim politik, ku ai replikon me opozitën dhe akuzon në limit të etikës parlamentare.
Fjalimi nuk ka asnjë dobi publike. Ai është thjesht pjesë e debatit tipik parlamentar mbushur me akuza, fyerje, sharje, ulërima, gënjeshtra. Aq mq pak ka dobi fjalimi për ata që hynë në faqen e Ministrisë së Financave për informacione në lidhje me financat publike apo gjendjen ekonomike të vendit.
Përdorimi i faqes zyrtare të Ministrisë për përhapjen e deklaratave politike, propagandistike të Ministrit Cani është shkelje e normës etike dhe në shkelje të hapur të misionit publik të Ministrisë së Financave.
Faqja e Ministrisë së Financave është faqe e qeverisë së gjithë shqiptarëve dhe në shërbim të informimit të publikut.
Ajo nuk është faqe personale e politikanit socialist Shkëlqim Cani.
Në të nuk duhet të botohen deklarime apo replika politike të Ministrit të Financave në kapacitetin e përfaqësuesit të PS-së. Aq më pak, deklarata pa etikë kundër deputetëve, para të cilëve Ministri Cani është i detyruar të raportojë sipas Kushtetutës.