Këshilli i Ministrave ka përcaktuar pagat referuese, mbi të cilat profesionistët e lirë do të paguajnë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Paga referuese më e ulët për 23 profesione që cilësohen si të lira (noterët, mjekët, farmacistët, arkitektët, mësuesit, avokatët etj) është 40 250 lekë, ndërsa më e larta është 88 800 lekë. Në përcaktimin e pagave do të merret parasysh zona ku zhvillohet aktiviteti, në qytet apo në fshat, vitet e punës, madhësia e biznesit dhe paga për të njëjtin profesion në sektorin publik.
Kjo mënyrë e re e llogaritjes së sigurimeve është kundërshtuar nga profesionistët e lirë. Sipas tyre, ai nuk është i drejtë dhe real. Ndryshimet në ligjin “Për sigurimet shoqërore” u miratuan në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar, pavarsisht protestave të grupeve të interesit.