Avokatët kanë bojkotuar, sot, në të gjithë vendin, proçeset gjyqësore, për protestuar kundër ligjit për sigurimet shoqërore. Sipas këtij ligji, profesionistët e lirë, përfshi avokatët, do të paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndëtësore bazuar në paga referuese. Avokatët shprehen se kjo mënyrë pagimi nuk është reale dhe koherente. Zenun Hajdërmataj, Kryetari i Dhomës së Avokatisë, deklaroi se do të bllokojnë punën deri sa gjykata të shpallë ligjin antikushtetues.
Përveç avokatëve, dhe Asambleja e Profesioneve të Lira, disa ditë më parë, është shprehur kundër ligjit, që sipas tyre rrit në mënyrë artificiale sigurimet shoqërorë që ata duhet ta paguajnë.
Në fund të janarit, Këshilli i Ministrave përcaktoi pagat referuese, mbi të cilat profesionistët e lirë do të paguajnë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Paga referuese më e ulët për 23 profesione që cilësohen si të lira (noterët, mjekët, farmacistët, arkitektët, mësuesit, avokatët etj) u vendos 40 250 lekë, ndërsa më e larta 88 800 lekë.
Ndryshimet në ligjin “Për sigurimet shoqërore” u miratuan në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar, pavarsisht protestave të grupeve të interesit.